Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) njofton se pas verifikimit të njehsorëve të parë elektrik, pas ankesave të konsumatorëve, ka konstatuar se disa njehsorë kanë qenë me afat të skaduar dhe paraqesin devijime në datë dhe kohë, ndërsa matja e energjisë rezulton e saktë dhe pa ndikim në konsum.
Sipas raportit të komisionit ad hoc të MINTI-t dhe Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, janë evidentuar devijime prej rreth 2–3 ditësh në datë dhe 10–11 orësh në kohë krahasuar me të dhënat reale. Megjithatë, bllombat e njehsorëve janë konstatuar të paprekura dhe pa dëmtime.
MINTI ka njoftuar se do të kërkojë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) marrjen e masave për devijimet e konstatuara, ndërsa Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë.
Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit raporton se deri më 30 mars 2026 nuk kishte pranuar ankesa, ndërsa pas formimit të komisionit verifikues, vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë pranuar 209 ankesa të reja, të cilat po verifikohen aktualisht.
Ministria apelon tek qytetarët që të parashtrojnë çdo ankesë në adresën konsumatori@rks-gov.net, duke bashkëngjitur numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet sa më shpejt.
MINTI konfirmon përkushtimin e saj për trajtimin e çdo ankese të konsumatorëve dhe ndërmarrjen e masave ligjore bazuar në gjetjet e verifikimit.



