“Mish dhie” titullohet ekspozita vetjake që çel këtë javë artisti Helidon Haliti.
Ekspozita është një projekt artistik që trajton në mënyrë konceptuale temat e paragjykimit dhe perceptimit në shoqërinë bashkëkohore. Gjithçka lind nga një ngjarje intime, por nuk mbetet personale. Gjashtëmbëdhjetë vite më parë, një aksident i zakonshëm familjar u kthye në dyshim publik. Një sy i mavijosur u bë provë. Një lagje ndërtoi narrativën e saj. E vërteta ishte e thjeshtë; perceptimi ishte më i fortë. Ekspozita ndërton një narrativë reflektuese mbi raportin mes individit dhe gjykimit kolektiv, duke përdorur elemente simbolike dhe figurative si mjete shprehjeje artistike.
Në ciklin e parë fotografik me titullin “Paragjykimi”, pranë portretit u vendos një mollë e kalbur. Jo si simbol i fajit personal, por si metaforë e kalbjes së mendimit.
Një veçanti befasuese e kësaj ekspozite është se ka për kuratore Diellën. Ekspozita do të çelet për publikun nga 25 marsi deri më 3 prill, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Universitetit të Arteve dhe Galerisë FAB. /atsh



