Parlamenti Europian do të debatojë dhe votojë javën e ardhshme mbi një “mocion mosbesimi”, kundër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Kolegjit të saj të Komisionerëve.
Eurodeputeti rumun Gheorghe Piperea, nga partia ultrakonservatore AUR, pretendon se ka mbledhur 73 nënshkrime për mocionin e tij – një më shumë se pragu minimal prej një në dhjetë të eurodeputetëve të nevojshëm për të filluar procesin.
Sipas zyrës së Pipereas, 32 anëtarë të grupit të tij politik, Konservatorët dhe Reformistët Evropianë, e kanë mbështetur kërkesën.
6 nënshkrimet tjera erdhën nga grupet e ekstremit të djathtë Patriotët për Evropën, Evropa e Kombeve Sovrane (26) dhe nga eurodeputetë jo të lidhur me Parlamentin Evropian.
Sipas burimeve të brendshme, nënshkrimet e eurodeputetëve tani po verifikohen dhe validohen nga shërbimet e Parlamentit.
Pasi të përfundojë procesi i validimit, presidentja Roberta Metsola do t’i informojë zyrtarisht eurodeputetët se është paraqitur një mocion mosbesimi.
Një debat plenar mbi kërkesën për dorëheqje duhet të caktohet të paktën 24 orë pas njoftimit dhe një votim për këtë çështje duhet të zhvillohet të paktën 48 orë pas fillimit të debatit.
Burime parlamentare i thanë Euronews se debati mund të mbahet të martën, më 8 korrik, ndërsa votimi do të vijë të enjten, më 10 korrik, me kusht që presidentja Metsola ta shpallë mocionin deri në fund të kësaj jave.
Ky mocion i veçantë ka shumë pak shanse për t’u miratuar, siç e ka pranuar edhe eurodeputeti që e propozon në një intervistë me Euronews.
“Do të ketë një votë kundër mocionit: jam i sigurt për këtë, sepse shumica është ende me von der Leyen. Dhe edhe nëse në këtë shumicë ka shumë pakënaqësi kundër von der Leyen, për momentin ata nuk do ta detyrojnë atë të japë dorëheqjen”, tha Piperea.
Megjithatë, eurodeputeti rumun shpreson se iniciativa mund të “hapë kutinë e Pandorës”, duke inkurajuar mocione të mëtejshme mosbesimi në muajt në vijim.
“Është e rëndësishme që të kemi këtë proces demokratik, në mënyrë që të detyrojmë këtë lloj debati. Edhe nëse mocioni im nuk do të ketë sukses, ndoshta do të ketë të tjerë në të ardhmen që do të jenë të suksesshëm”, tha ai.
Mocioni i mosbesimit mbështetet në tri akuza kryesore, e para lidhet me mesazhet me tekst të shkëmbyera midis presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen dhe drejtorit Ekzekutiv të Pfizer, Albert Bourla, gjatë negociatave për vaksinën kundër COVID-19.
“Gjykata e Drejtësisë e BE-së në Luksemburg deklaroi se Komisioni Evropian duhet t’i zbulojë ato SMS […] Komisioni Evropian e hodhi poshtë kërkesën. Bëhet fjalë për ndarjen e pushteteve në një demokraci: nëse nuk mund ta pranosh një vendim drejtësie, kjo do të thotë shkelje e sundimit të ligjit”, pohon Piperea.
Akuza të tjera përfshijnë keqpërdorimin e supozuar të fondeve pas COVID-it dhe një përpjekje të supozuar nga Komisioni Evropian për të promovuar politikat e tij të gjelbra duke financuar OJQ-të për të lobuar te eurodeputetët, të dyja të mohuara nga Komisioni.