Ukraina ka thirrur të dërguarin në detyrë të SHBA-së në Kiev për të paralajmëruar administratën Trump se “çdo vonesë ose zvarritje” në furnizimin e saj me armë do t’i sjellë vetëm dobi Rusisë.
Reagimi i Kievit vjen pasi SHBA-të bllokuan disa dërgesa për në Ukrainë.
Dërgesat përfshinin raketa mbrojtëse ajrore Patriot, në të cilat Ukraina mbështetet për të shkatërruar raketat balistike që lëvizin shpejt nga Moska.
Përfshinte gjithashtu sisteme portative të mbrojtjes ajrore, mijëra predha artilerie dhe raketa ajër-tokë, të gjitha të premtuara nga administrata Biden.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy tha se Ukraina po “sqaronte” detajet me SHBA-në, ndërsa ministri i tij i jashtëm shkroi në X se Ukraina ishte “e gatshme të blinte ose të merrte me qira” sisteme të mbrojtjes ajrore.
Ministria e Jashtme ukrainase tha dje se vazhdimi i dërgesave të paketave mbrojtëse amerikane ishte “i një rëndësie kritike”, veçanërisht për të forcuar mbrojtjen ajrore të vendit.
Vendimi i SHBA-ve, siç edhe pritet, ka gëzuar Moskën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha dje se lufta do të përfundonte më shpejt nëse më pak armë do të arrinin në Kiev.
Por grupi i ekspertëve i Institutit për Studimin e Luftës thotë se pezullimi i ndihmës vetëm sa do ta përforcojë teorinë e Vladimir Putinit se Rusia mund ta fitojë luftën duke bërë përparime të ngadalta dhe duke tejkaluar mbështetjen perëndimore për Ukrainën.
Ai thotë se pezullimi i fundit i ndihmës nga SHBA-ja vetëm sa do të forcojë bindjen e Moskës se koha është në anën e saj dhe një luftë rraskapitëse do t’i sjellë dobi vetëm Kremlinit.
Ai vëren se gjatë vonesave të mëparshme në arritjen e armëve amerikane në Ukrainë, Rusia ka përshpejtuar përparimet e saj në fushën e betejës dhe ka intensifikuar ndjeshëm operacionet ofensive në pozicione kyçe.
Mediat kanë raportuar se Vladimir Putin dhe Emmanuel Macron kanë zhvilluar një telefonatë “të rëndësishme” për të diskutuar rreth luftës në Ukrainë dhe konfliktin Iran-Izrael.
Zyra e Macron tha se telefonata zgjati dy orë, në atë që ishte diskutimi i parë midis dy udhëheqësve që nga shtatori 2022.
Një burim diplomatik francez tha se Macron foli me Volodymyr Zelenskiy para dhe pas telefonatës së mbrëmshme për ta informuar mbi bisedimet dhe foli edhe me Donald Trump.
Kremlini tha se Putin përsëriti qëndrimin e tij se çdo marrëveshje e mundshme paqeje midis Moskës dhe Kievit duhet të ketë një “karakter gjithëpërfshirës dhe afatgjatë” dhe të bazohet në “realitete të reja territoriale”.
Nga ana jetër, si kundërpërgjigje, zyra e presidentit francez tha se Macron ia bëri të qartë Putinit se vetëm Ukraina vendosë nëse do të pranojë lëshime territoriale, derisa “theksoi mbështetjen e palëkundur të Francës” për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kievit.