Mozaiku i Tiranës është një hapësirë e re moderne që shërben si platformë për prezantimin e mozaikëve më të rëndësishëm, ndërsa po kthehet në një destinacion të rëndësishëm kulturor për Tiranën.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Mozaiku i Tiranës, ku po përgatiten për publikun mozaikë dhe materiale arkeologjike nga antikiteti, si dëshmi e rëndësishme e historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore.
Mozaiku i Tiranës daton që prej shek. III dhe është zbuluar në vitet ’70 të shekullit të kaluar gjatë punimeve për ndërtimin e një blloku pallatesh.
Në kushte optimale konservimi dhe përmes programeve edukative me fëmijët e të rinjtë, kjo hapësirë vjen si një dritare e re e interpretimit bashkëkohor të trashëgimisë sonë arkeologjike.
Kjo godinë, përpos historikut të saj, shërben edhe si pikë informacioni vizuale për të gjithë mozaikët që mbart nëntoka e pasur arkeologjike shqiptare.
Së fundmi, revista prestigjioze e arkitekturës ArchDaily e ka nominuar Mozaikun e Tiranës për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026”, një nominim që e pozicionon Tiranën në skenën ndërkombëtare të arkitekturës si një shembull i dialogut mes historisë dhe së tashmes. /atsh



