Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” vijon të jetë një ndër më të vizituarit nga turistët vendas e të huaj që vizitojnë Beratin.
Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, tha se “vetëm nga fillimi i vitit deri tani kemi pritur mbi 82 mijë vizitorë në Muzeun e Ikonografisë ‘Onufri’, duke shënuar shifra rekord”.
“Rreth 70% e turistëve që kanë vizituar muzeun janë të huaj, ku këtë vit numrin më të lartë e kanë turistët polakë, francezë, spanjollë, gjermanë dhe italianë”, tha Pasku.
Sipas tij, muajt me numrin më të lartë të turistëve gjatë këtij viti kanë qenë maji dhe shtatori.
“Këto shifra bëjnë që Qendra Kombëtare e Muzeumeve, Berat në Ditën Botërore të Turizmit t’i bashkohet suksesit kombëtar të Shqipërisë në turizëm. Turizmi është sot motor zhvillimi dhe sfida jonë mbetet përballimi i këtij interesi me profesionalizëm, duke vënë në shërbim kapacitetet njerëzore e intelektuale për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore”, tha Pasku.
Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI.
Katedralja, sipas mbishkrimeve që mbart, rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike. /atsh