Instituti Albanologjik i Prishtinës (IAP) ka zgjedhur drejtorin e tij të ri. Sot është bërë pranim-dorëzimi zyrtar i detyrës, ku ushtruesja e deritashme e detyrës së drejtoreshës, Meliza Krasniqi, ia dorëzoi detyrën Naim Berishës, i cili nis mandatin e tij katërvjeçar si drejtor i Institutit.
Instituti falënderoi Krasniqin për kontributin e saj profesional dhe administrativ gjatë gjashtë muajve në krye të IAP-së, duke i uruar sukses në angazhimet e saj të ardhshme kërkimore-shkencore.
Po ashtu, Instituti Albanologjik i Prishtinës i uroi Naim Berisha punë të mbarë dhe kryerje të suksesshme të detyrës me përgjegjësi, kompetencë profesionale dhe menaxhuese.
Njoftimi i plotë i IAP:
Institutit Albanologjik-Prishtinë zgjedh drejtorin e tij
Sot u bë pranim-dorëzimi zyrtar i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik-Prishtinë. Ushtruesja e deritashme e detyrës së drejtoreshës së IAP, znj. Meliza Krasniqi, ia dorëzoi detyrën z. Naim Berisha, i cili sot nis mandatin e tij katërvjeçar si drejtor i IAP.
Instituti Albanologjik-Prishtinë e falënderon znj. Meliza Krasniqi për kontributin e saj profesional dhe administrues si u.d. drejtoreshë e IAP për periudhën gjashtë mujore. Znj. Krasniqi i dëshirojmë fat dhe mbarësi në projektet e saj profesionale dhe punën e saj kërkimore-shkencore.
Instituti Albanologjik-Prishtinë i uron z. Naim Berisha kryerje të suksesshme të detyrës me përgjegjësi dhe kompetencë profesionale, menaxhuese dhe administruese.
Dr. Naim Berisha është këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë nga viti 2008, në Degën e Gjuhësisë. Gjatë kësaj periudhe kohore ka kryer disa detyra: Shef i Degës së Gjuhësisë (1.9.2019 -1.9.2023); Anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik (1.11.2019 – 31.10.2023); Anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit Albanologjik 2016-vijon; Anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe (që nga 21 shkurt 2020); Anëtar i redaksisë së revistës “Gjurmime Albanologjike” (numrat 49, 50, 51, 52); Anëtar i Këshillit Kombëtar Shkencor i Projektit “Gjuha Shqipe dhe Kompjuteri (2020-2021); Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe – Përgjegjës për kartotekën e leksikut në Kosovë; Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe – Hartues. Fushat e tij të studimit janë: leksikologjia, leksikografia, dialektologjia, sociolinguistika, kultura e gjuhës etj.
Ka qenë i angazhuar si asistent dhe ligjërues në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës dhe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prizrenit. Veprimtaria e tij shkencore dhe arsimore numëron tetë libra të botuar (botime shkencore, tekste shkollore); tetëdhjetë e tri njësi bibliografike – studime, trajtesa, artikuj, recensione etj.



