Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dhënë një paralajmërim të ashpër lidhur me kërcënimin rus ndaj aleancës ushtarake dhe Bashkimit Evropian, duke thënë se Europa duhet të përgatitet seriozisht për një rrezik të ri lufte.
Gjatë një fjalimi në Berlin, Rutte deklaroi se vendet e NATO-s po hyjnë në një fazë ku rreziku nuk është më teorik.
“Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë. Dhe tashmë jemi në rrezik,” tha Rutte, i cituar nga Politico. Ai shtoi se “Rusia e ka rikthyer luftën në Europë dhe ne duhet të jemi të përgatitur për shkallën e luftës që e kanë përjetuar gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë.”
Paralajmërim për përshkallëzim brenda pesë vitesh
Rutte paralajmëroi se Moska mund të jetë duke u përgatitur që brenda pesë viteve të nisë një konflikt të gjerë kundër NATO-s, duke e paraqitur situatën si një alarm strategjik për të gjithë kontinentin.
“Putini e ka NATO-n si objektiv”
Sipas CNN, Rutte ka pohuar se NATO është “objektivi i ardhshëm i Putinit” dhe ka kërkuar rritje të shpenzimeve ushtarake, si dhe masa të tjera për të forcuar gatishmërinë, në rast të një lufte të mundshme kontinentale kundër Rusisë.
“Koha për veprim është tani”
Në deklarimet e tij, Rutte u shpreh i shqetësuar për mungesë urgjence në disa vende.
“Kam frikë se shumë janë qetësuar në heshtje. Shumë nuk e ndjejnë urgjencën. Dhe shumë besojnë se koha është në anën tonë. Nuk është. Koha për veprim është tani,” deklaroi ai, sipas Politico.



