Në Lezhë u ndanë çmimet letrare “At Gjergj Fishta”, në një aktivitet kushtuar 154-vjetorit të lindjes së poetit kombëtar e figurës madhore të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Çmimet Letrare “At Gjergj Fishta”, tashmë janë kthyer në një traditë që prej vitesh bashkon krijues nga mbarë hapësira shqipfolëse.
Në këtë edicion morën pjesë 80 autorë me libra poetikë, vepra në prozë dhe përkthime letrare, të cilët u vlerësuan nga një juri e përbërë nga Rudolf Marku në pozicionin e kryetarit, si dhe nga anëtarët Ernestina Halili dhe Bajram Kosumi.
Fitues u shpallën: Lulzim Tafa për ciklin poetik “Ekspozitë me ëndrra”; Ermal Hasimja për prozën “E shkuar e pakryer”; Milena Selimi për përkthimin e romanit “Kohëstrehim”.
Kryetari i jurisë, Rudolf Marku, tha se ky çmim është ndër më të lakmuarit në letërsinë shqipe, pasi mban emrin e një prej figurave më të ndritura të kombit.
Paralelisht me këto çmime, u dhanë edhe ato të edicionit të 14-të të konkursit kombëtar “Ora e Muzës”, i dedikuar vetëm poezisë, ku 90 poetë nga mbarë hapësira shqipfolëse paraqitën krijimet e tyre.
Fitues të këtij konkursi u shpallën Bona Mulaj Lluka, Alketa Gashi Fazliu dhe Marash Mirashi. /atsh



