Seanca fillestare për tre të akuzuarit në rastin e sulmit në kanalin Ibër Lepenc në Zubin Potok është ndërprerë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas kërkesave të paraqitura nga palët mbrojtëse për përjashtimin e prokurorit të rastit.
Kërkesat u parashtruan me arsyetimin se gjatë fazës hetimore nuk janë ndërmarrë veprime të plota për mbledhjen dhe administrimin e provave të propozuara nga mbrojtja.
Sipas gjykatës, seanca është ndërprerë derisa të merret vendim nga Kryeprokurori kompetent lidhur me kërkesën për përjashtim të prokurorit publik, Bekim Kodraliu.
Avokati Nebojsha Vllajiq, mbrojtës i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, deklaroi se ka vërejtje serioze ndaj mënyrës së veprimit të prokurorisë dhe se ka kërkuar zyrtarisht përjashtimin e prokurorit.
Ai tha se kërkesa për mbledhje të provave ishte parashtruar që më 6 dhjetor 2024, vetëm disa ditë pas arrestimit të të akuzuarit, por sipas tij asnjë nga provat e propozuara nuk është administruar.
Vllajiq theksoi se janë marrë vetëm disa incizime nga një kamerë dhe se ato janë paraqitur në mënyrë selektive, pa sqaruar kohën, e cila sipas tij është element thelbësor për rastin.
Ai shtoi se mosveprimi i prokurorisë ka sjellë humbjen e disa provave përgjithmonë.
“Kam vërejtje ndaj prokurorit të kësaj çështjeje, të cilat, nëse më lejohet nga gjykata, do t’i arsyetoj. Dëshiroj të parashtroj kërkesë për përjashtim të prokurorit publik, Bekim Kodraliu. Nuk kam kërkuar shumë herë përjashtimin e prokurorit në këto raste, përjashtimin e prokurorit nuk e kam kërkuar asnjëherë, ndoshta punoj tri vite dhe ndihem pakëndshëm. Prokurori publik mos ta marrë këtë si personale. I pandehuri Jovan është arrestuar më 1 dhjetor 2024 dhe vetëm 6 ditë pas kësaj kam parashtruar kërkesë për mbledhje të provave, më 6 dhjetor. Ia kam parashtruar prokurorit publik, por ia kam parashtruar edhe gjyqtarit. Të dy provat ia kam dorëzuar të dyve. Prokurori i atëhershëm publik ka qenë Halim Burovci, por tani është zoti Kodraliu. Asnjë veprim nga provat që i kam propozuar nuk është ndërmarrë. Unë kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte dhe që të bisedohet edhe me katër persona. Që të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike. Që të vërtetohet në kohën kritike nëse Jovani ka pranuar sinjalin, kjo do të tregonte se ku ka qenë. Në asnjë mënyrë nuk është vepruar sipas kësaj. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe na janë shfaqur në mënyrë selektive. Nuk është treguar koha, e cila është e rëndësishme”.
“Në këtë mënyrë, prokurori publik e ka shkelur dispozitën e procedurës penale, e cila thotë se është i obliguar t’i vërtetojë faktet që shkojnë në dobi apo në dëm të të pandehurit. Disa prova janë humbur përgjithmonë. Askush nuk është i obliguar t’i ruajë incizimet një vit, nëse dikush nuk ia urdhëron këtë. Për këtë ekzistojnë arsye të rëndësishme, të cilat nxisin dyshimin në paanshmërinë e prokurorit publik, sepse veprimi i deritanishëm nuk ka qenë i paanshëm. Në bazë të ligjit të procedurës, dispozitat për përjashtimin e gjyqtarit zbatohen konform edhe për përjashtimin e prokurorit. Gjyqtari, posa ta pranojë kërkesën për përjashtim, është i obliguar ta ndërpresë punën lidhur me lëndën. Kështu konsideroj se është edhe në këtë rast. Sipas interpretimit tim të ligjit për përjashtimin e prokurorit publik, vendos kryeprokurori. Kështu që unë këtë kërkesë dje ia kam dorëzuar me postë kryeprokurorit, ndërsa sot ia kam dorëzuar gjykatës dhe prokurorit Bekim Kodraliu. Konsideroj që ajo kërkesë është e bazuar dhe pas vendimit të gjyqtarit kompetent ne do të vazhdojmë me procedurën”, tha ai.
Mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, avokati Millosh Deleviq, u bashkua me kërkesën e kolegut të tij, duke deklaruar se edhe ai kishte kërkuar që në dhjetor të vitit 2024 dëgjimin e katër dëshmitarëve dhe mbledhjen e incizimeve nga disa objekte, përfshirë banka dhe stacioni policor në Zubin Potok, por se deri më tani prokuroria nuk ka vepruar sipas këtyre kërkesave.
“Më duhet t’i bashkangjitem kolegut, pasi edhe unë më 11 dhjetor 2024 ia kam parashtruar kërkesën që të dëgjohen katër dëshmitarë. Kam kërkuar që të mblidhen video-incizime nga kamerat e dy objekteve, nga banka KEP në Zubin Potok dhe nga stacioni policor në Zubin Potok, një orë pas sulmit. Deri në ditën e sotme, prokurori special nuk ka vepruar sipas kërkesës. Në mënyrë të pakthyeshme e ka dëmtuar të drejtën në mbrojtje të Dragisha Viqentijeviqit. Kërkojmë që të ndërpritet kjo seancë deri sa kryeprokurori të deklarohet për këtë kërkesë”, tha ai.
Ndërkaq, avokatja Jelena Krivokapiq, mbrojtëse e të akuzuarit Igor Dimoviq, tha se rasti i klientit të saj është i ndryshëm dhe se mbrojtja nuk ka vërejtje ndaj prokurorisë, duke shtuar se dokumentacioni është pranuar dhe se nuk mund të deklarohet për shkelje në këtë pjesë.
Prokurori Bekim Kodraliu, duke iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes, tha se hetimi është zhvilluar në mënyrë profesionale dhe të koordinuar.
Ai theksoi se provat e propozuara janë analizuar dhe se për komunikimet telefonike janë bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar me autoritetet serbe, por se nuk është pranuar përgjigje.
Kodraliu shtoi se ligji përcakton qartë bazat mbi të cilat mund të kërkohet përjashtimi i prokurorit dhe se, sipas tij, këto baza nuk janë përmbushur në këtë rast.
“Unë i dëgjova me vëmendje kërkesat e palës mbrojtëse. E di që ndoshta nuk ju pëlqen hetimi që unë kam zhvilluar në këtë rast, por i njoftoj palët që hetimi ka qenë profesional dhe ka qenë i koordinuar në mënyrë të përsosur. Provat që i kanë propozuar i kam analizuar dhe i dëgjova edhe sot. Komunikimet telefonike, të pandehurit Jovan kanë qenë në komunikim përmes telekomit të Serbisë dhe ne autoriteteve serbe u kemi drejtuar dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar, por nuk kemi pranuar përgjigje. Kolegu Vllajiq ka qenë prokuror në sistemin jugosllav dhe besoj që e di se kur mund të kërkohet ndërrimi i prokurorit në një rast penal. Kërkesa për përjashtim është nëse pala e dëmtuar apo familjari me të pandehurin, kujdestari ligjor apo prindi i të pandehurit ose i dëmtuari, nëse ka marrë pjesë si gjyqtar dhe nëse kam konflikt interesi. Këto janë bazat që prokurori duhet të largohet nga procedura. Këto janë pesë bazat ligjore mbi të cilat mund të kërkohet përjashtimi”, tha ai.
Gjyqtari i çështjes, Vesel Ismaili, deklaroi se me paraqitjen e kërkesës për përjashtim, ligji obligon ndërprerjen e çdo veprimi procedural deri në marrjen e vendimit përfundimtar.
Ai njoftoi se seanca e sotme ndërpritet dhe se gjykata do të presë vendimin e kryeprokurorit special lidhur me kërkesën e parashtruar.
“Nuk i kontestoj fare, por kjo i bie në kompetencë të prokurorit. Neve na obligon dispozita që, me rastin e paraqitjes së kërkesës për përjashtim, qoftë të gjyqtarit apo të prokurorit, menjëherë duhet të ndërpritet çdo veprim procedural në një çështje juridiko-penale, deri sa të shqyrtohet dhe të merret vendim. Seanca e sotme ndërpritet dhe presim vendimin e kryeprokurorit special”, tha ai.



