Një ditë pas përplasjes verbale ndërmjet kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), punimet për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” kanë vazhduar pa ndërprerje.
Të martën, në zonën ku po realizohet projekti, janë parë eskavatorë dhe kamionë duke punuar intensivisht, çka tregon se procesi nuk është ndikuar nga tensionet institucionale. Makineritë dhe punëtorët kanë qenë të pranishëm në terren, duke vijuar me realizimin e projektit që ka ngjallur debat të madh publik dhe institucional.
Palët nuk kanë dhënë ende ndonjë deklaratë të re lidhur me hapat e ardhshëm, ndërsa qytetarët mbeten të ndarë sa i përket ndikimit të këtij projekti në zonën me vlera të trashëgimisë kulturore.