Një ditë para telefonatës që planifikon ta bëjë presidenti amerikan Donald Trump me homologun rus, Putin dhe atë ukrainas, Zelensky, Moska ka intensifikuar sulmet, shkruajnë mediat ndërkombëtare, përcjell Storm.
Në orët e para të së dielës, Rusia kreu sulmin më të madh me dronë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, duke lëshuar 273 dronë në drejtim të rajoneve të Kievit, Dnipropetrovskut dhe Donetskut.
Sipas autoriteteve ukrainase, një grua 28-vjeçare humbi jetën në distriktin Obukhiv të rajonit të Kievit, ndërsa të paktën tre persona të tjerë, përfshirë një fëmijë 4-vjeçar, u plagosën dhe u dërguan në spital .
Ky sulm ndodhi vetëm disa orë pas bisedimeve të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll, të cilat nuk arritën një armëpushim, por përfunduan me një marrëveshje për shkëmbimin e 1,000 të burgosurve nga secila palë.
Ukraina e përshkroi sulmin si një përpjekje për të frikësuar dhe ushtruar presion gjatë negociatave.
Forcat ajrore ukrainase raportuan se 88 nga dronët u rrëzuan, ndërsa 128 dronë simulues nuk arritën objektivat e tyre.
Në qytetin e Kievit, mbetjet e një droni të shkatërruar dëmtuan çatinë e një ndërtese jo-rezidenciale, por nuk pati të lënduar.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy dënoi sulmet dhe bëri thirrje për sanksione më të ashpra kundër Moskës.
Në pjesën tjetër të kontinentit ku po mbahen bisedimet për ndërprerjen e luftës në Gazë, Izraeli vazhdon me furinë e tij të ashpër, duke lënë numër të madh të vdekurve, ku sipas raportimeve të gjitha viktimat janë civil.
Deri më tani janë raportuar se numri i palestinezëve të vrarë në sulmet izraelite në të gjithë Gazën gjatë orëve të fundit ka arritur në të paktën 125, përfshirë shumë fëmijë, sipas burimeve mjekësore.
Në grupin e të vrarëve janë edhe tre gazetarë palestinezë.
Më shumë se 230 gazetarë dhe punonjës mediatikë palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në të gjithë Gazën që nga 7 tetori 2023, në atë që është përshkruar si konflikti më vdekjeprurës ndonjëherë për gazetarët.
Pos situatës së rëndë me furnizimet ushqime, situatë e rëndë është edhe tek spitalet, të cilat po sulmohen vazhdimisht.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se spitali indonezian i Gazës Veriore është jashtë funksionit, pasi i njëjti ishte rrethuar nga forcat izraelite duke e nxjerrë atë jashtë funksionit.



