spot_img
E martë, 3 Mars, 2026
10:05
HomeKosovaDrejtësiaNë Gjykatën Speciale vazhdon gjykimi në rastin “Administrimi i drejtësisë”

Në Gjykatën Speciale vazhdon gjykimi në rastin “Administrimi i drejtësisë”

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Sot, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë, ku pritet dëshmia e dëshmitarit të dytë të ZPS-së.

Dëshmitari i mbrojtur i cili dje dëshmoi në Hagë, ka thënë se Rrustem Mustafa gjatë intervistës së tij për Prokurorinë ka thënë që askush nuk ka ndërhyrë në dëshminë e tij në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për krime lufte.

- Advertisement -

Sipas asaj që lexoi avokati i Fadil Fazliut, dëshmitari Rrustem Mustafa kishte thënë për Prokurorinë se të akuzuarit ishin shokët e tij dhe se askush nuk kishte ndërhyrë në dëshminë e tij. E po ashtu, për Prokurorinë do të dëshmonte vetëm ato që dinte pa u ndikuar nga askush.

Dje mbrojtja bëri pyetjet e saj për dëshmitarin e parë të ZPS-së, Dëshmitarin 7.

- Advertisement -

Po ashtu pyetje kishte edhe nga ekipet e Mbrojtjes së Thaçit, Smakajt, Fazliut dhe Kilajt.

Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 6 dhjetor 2024.

Hashim Thaçi iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçi iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen me shkrim deri më 7 janar 2025.

Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar dhe u bë publik më 14 janar 2025.

Më 11 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake njoftoi kryetaren se dosja e çështjes do të ishte gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025.

Rrjedhimisht, kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm për gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm. Konferenca për përgatitjen e gjykimit u mbajt më 28 nëntor 2025, ndërsa gjykimi filloi më 27 shkurt 2026.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat