Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) njoftoi se së shpejti do të çelë ekspozitën-premierë të një prej artistëve më të jashtëzakonshëm të surrealizmit botëror, Salvador Dalí.
Ekspozita “Salvador Dalí” vjen më 9 prill dhe është pjesë e “Koleksioni Argillet” e koleksionistes Christine Argillet, një arkiv shumë personal i gravurave dhe vizatimeve të rralla të Dalí, nga viti 1934 e deri në fund të viteve ’70.
Christine Argillet, është e bija e Pierre Argillet, një fotograf dhe intelektual i cili ishte mentori i Dalí-së. Christine e cila e ka njohur personalisht Dalí-në, disponon një nga arkivat me autentike te veprave te artistit te ndjere.
Këto vepra të ekspozuara në shumë vende të botës tashmë do të vijnë edhe në Tiranë. Christine Agillet, e njohur si një nga të paktët persona që mund të dëshmojnë dhe ndajnë detaje personale nga procesi i punës, por edhe nga jeta e gjeniut Salvador Dalí.
Salvador Dalí (1904–1989) ishte një piktor, gravurist dhe regjisor surrealist spanjoll i njohur, i njohur për virtuozitetin e tij teknik, imazhet e çuditshme si ëndrra dhe sjelljen publike ekstravagante dhe ekscentrike. I famshëm për kryevepra si “Këmbëngulja e Kujtesës” (1931), ai eksploroi imazhet e subkoshiencës dhe krijoi “metodën kritike paranojake” për të shtrembëruar realitetin. /atsh



