Mitrovica është gati të mikpresë edicionin e 15-të të MittrixFest, një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore në Kosovë dhe rajon. Ky festival tashmë është bërë një traditë e qëndrueshme kulturore, duke sjellë në skenën mitrovicase trupa teatrore dhe artistë të njohur nga vendi dhe më gjerë.
Përveç shfaqjeve konkurruese me nivel të lartë artistik, MittrixFest XV ofron edhe workshope certifikuese të udhëhequra nga profesionistë të teatrit dhe kulturës, të cilat synojnë zhvillimin profesional të aktorëve, regjisorëve dhe të rinjve të pasionuar pas artit skenik.
Festivali pasurohet gjithashtu me aktivitete të larmishme, si:
Ekspozita artistike;
Vizita turistike promovuese të qytetit dhe trashëgimisë kulturore;
Eksplorime në Muzeun e Qytetit, si dhe;
Dreka tradicionale, takime miqësore dhe festa të zjarrta, që sjellin gjallëri dhe atmosferë të veçantë në qytet.
MittrixFest është më shumë se një festival – është një urë lidhëse mes artistëve dhe publikut, një festë e kulturës dhe humorit që e shndërron Mitrovicën në një qendër të rëndësishme të artit skenik në rajon.
Nesër fillon festa – Mitrovica pret artin, humorin dhe emocionin e teatrit!