Plani 20-pikësh i Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Gaza duket se shkon përtej kornizës tipike të armëpushimit dhe negociatave për pengjet, duke i hapur rrugën Izraelit që gradualisht t’ia dorëzojë territorin që ka pushtuar një force ndërkombëtare sigurie.
Propozimi përcakton dy rrugë të mundshme. Në njërën, forcat izraelite do të tërhiqen në vijat e dakorduara nëse Hamasi pranon të lirojë të gjithë pengjet brenda 72 orëve.
Në tjetrën, nëse Hamasi refuzon, Izraeli do të vazhdojë ofensivën e tij ushtarake në Gaza dhe gradualisht do t’ia dorëzojë territorin një autoriteti kalimtar.
Në të dyja rastet, propozimi shënon herën e parë që Izraeli ka rënë dakord publikisht që të tërhiqet përfundimisht nga pjesë të Rripit të Gazës dhe t’ia dorëzojë territorin një force ndërkombëtare sigurie.
Propozimi nuk përcakton një afat kohor për këtë dorëzim.
Propozimi tregon gjithashtu se Izraeli duhet të rrisë ndjeshëm ndihmën për Gazën, edhe nëse Hamasi e refuzon propozimin.
Por një pyetje e madhe mbetet: Si do ta sigurojë Izraeli lirimin e pengjeve nëse Hamasi refuzon? Propozimi i SHBA-së nuk i përgjigjet kësaj pyetjeje.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se “Izraeli do ta përfundojë punën vetë” nëse Hamasi nuk e pranon planin.
Trump vuri në dukje se Hamasi ende duhej të binte dakord me të, megjithëse Netanyahu tregoi mbështetjen e tij sot.
“Forcat izraelite do të tërhiqen në vijën e rënë dakord për t’u përgatitur për lirimin e pengjeve. Gjatë kësaj kohe, të gjitha operacionet ushtarake, përfshirë bombardimet ajrore dhe të artilerisë, do të pezullohen dhe linjat e betejës do të mbeten të ngrira derisa të plotësohen kushtet për tërheqjen e plotë në faza”, thuhet në plan, pa përcaktuar një afat kohor.
Ja disa pika të tjera të rëndësishme:
Versioni fillestar kërkonte lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi brenda 48 orëve nga arritja e një marrëveshjeje, sipas një burimi të njohur me planin. Versioni i fundit kërkon që kjo të bëhet brenda 72 orëve.
Versioni i ri i sotëm nuk përmend konkretisht se Izraeli nuk do ta sulmojë Katarin, siç bëri versioni i paraqitur javën e kaluar.
Aty thuhet se “askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza, dhe ata që dëshirojnë të largohen do të jenë të lirë ta bëjnë këtë dhe të lirë të kthehen” – pavarësisht deklaratave të kaluara të Trump për zhvendosjen me forcë.
Gjithashtu thuhet se “Izraeli nuk do ta pushtojë ose aneksojë Gazën”.
Të dyja versionet përshkruajnë dy nivele të qeverisjes së përkohshme — një organ ndërkombëtar gjithëpërfshirës dhe një komitet palestinez. Plani i sotëm e përshkruan organin ndërkombëtar si një “Bord Paqeje”, të kryesuar nga Trump.
Propozimi kërkon që Hamasi të mos ketë asnjë rol në qeverisjen e Gazës në të ardhmen.
Gjithashtu pranon mundësinë e një shteti palestinez, por nuk thotë se SHBA-të do ta njihnin një shtet të tillë.
Kurse zyrtari i Hamasit, Mahmoud Mardawi, i ka thënë Al Jazeera-s se grupi ende nuk e ka marrë planin e shkruar të paqes të Trump për Gazën.
Mardawi i bëri këto komente në një intervistë me Al Jazeera menjëherë pasi Trump mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me Netanyahun.