Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka bërë publike kushtet në Uashington, si parakusht për nisjen e bisedimeve dhe arritjen e një armëpushimi të përkohshëm 60-ditor dhe fillimin e negociatave për një përfundim të përhershëm të luftës.
Ai i ka quajtur “kërkesa minimale” që Izraeli të përfundojë luftimet në Gaza.
E para është që Hamasi të dorëzojë armët. E dyta është që Hamasi ushtarakisht dhe politikisht të shterohet plotësisht. E treta është që Hamasi të mos jetë pjesë e ecjes përpara.
Netanyahu i ka bërë qëndrimet e Izraelit mjaft të qarta: Se ai dëshiron ta zhdukë Hamasin, se ai dëshiron ta mposhtë plotësisht grupin palestinez.
Ai thotë se nëse kjo nuk bëhet si pjesë e marrëveshjes, nëse nuk do të bëhet diplomatikisht, Izraeli do ta bëjë me forcë.
E në anën tjetër gjatë ditës është raportuar për të paktën 15 persona të vrarë, nëntë prej të cilëve ishin fëmijë.
30 persona u plagosën, prej tyre 19 fëmijë.
Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell tha se të vrarët ishin duke pritur të merrnin ndihma nga Projekti HOPE, një organizatë partnere e UNICEF-it, kur ndodhi sulmi.
“Këto ishin nëna që kërkonin një litar shpëtimi për fëmijët e tyre pas muajsh urie dhe dëshpërimi. Midis tyre ishte Donia, djali 1-vjeçar i së cilës, Mohammed, u vra. Ajo tha se ai ia kishte thënë fjalët e para vetëm disa orë më parë. Donia tani shtrihet në një shtrat spitali, e plagosur rëndë nga shpërthimi, duke mbajtur fort këpucën e vogël të Mohammedit. Asnjë prind nuk duhet të përballet me një tragjedi të tillë. Ky është realiteti mizor me të cilin përballen shumë njerëz në Gaza sot, pas muajsh të tërë ndihme të pamjaftueshme që u lejua në territor dhe palëve në konflikt që dështuan të përmbushnin përgjegjësitë themelore për të mbrojtur civilët”, thuhet në deklaratë.



