Gjigandi i transmetimit “Netflix” do të blejë kompaninë e famshme të Hollivudit, “Warner Bros” – pas ndarjes së biznesit “Discovery Global” të Warner – për gati 82,7 miliardë dollarë.
“Marrëveshja përfshin studiot e filmit dhe televizionit të “Warner Bros”, “HBO Max” dhe HBO”, thanë të dyja kompanitë.
“Netflix” kryesoi garën për blerjen e kompanisë së famshme të Hollivudit, “Warner Bros Discovery” (WBD).
Transmetuesi CNN, i cili është pjesë e WBD, raportoi se gjiganti amerikan i transmetimit të filmave kishte paraqitur ofertën më të lartë.
WBD zyrtarisht, doli në shitje në tetor pasi mori disa oferta për blerje. Grupi përfshin studiot e filmave, shërbimin e transmetimit “HBO Max” dhe disa rrjete televizive.
“Netflix” thuhet se është i interesuar vetëm në shërbimet e prodhimit dhe transmetimit të “Warner”.
Më herët, WBD kishte planifikuar t’i ndante kanalet televizive në një kompani të veçantë.
“Netflix” kundër “Paramount”
“Paramount” ishte rivali më i fortë i “Netflix” në “luftën” e ofertave.
Konkurrenti i hershëm hollivudian i “Warner” u ble së fundmi nga producenti miliarder i filmave, David Ellison dhe familja e tij.
Me arritjen e marrëveshjes për blerjen e “Warner Bros”, “Netflix” do të ketë kontrollin e ekskluziviteteve të tilla si “Batman” dhe “Superman”, së bashku me një katalog të gjerë hit-esh të HBO-së, nga “Game of Thrones” te “The Sopranos”.
“Netflix” është një kompani lider në tregun global të transmetimit.
Kompania kishte më shumë se 300 milionë familje që paguanin deri në fund të vitit të kaluar. “HBO Max” raportoi së fundmi 128 milionë abonentë. /atsh



