Newcastle United vazhdoi ecurinë mbresëlënëse në Premier League duke mposhtur me rezultatin bindës 4-1 Manchester United në “St. James’ Park”, një fitore që jo vetëm i ngjiti “Magpies” në vendin e katërt të renditjes.
Manchester United, tashmë në një proces rindërtimi të dhimbshëm nën drejtimin e Ruben Amorim, u përball me një tjetër zhgënjim.
Portieri André Onana u la në stol pas gabimeve të së enjtes në Ligën e Europës dhe debutimin në kampionat e mori Altay Bayındır, i cili e pa topin në rrjetë që në minutat e para – edhe pse goli i Joelinton u anulua për pozicion jashtë loje.
Por Newcastle nuk u ndal dhe gjeti golin e parë në minutën e 24-t: një aksion i shkëlqyer që nisi me një pasim të bukur të Trippier për Isak, i cili asistoi me finesë për Sandro Tonalin dhe italiani realizoi me një goditje fantastike me të djathtën.
Edhe pse Newcastle vazhdoi të krijonte raste me Tonalin dhe Isak, mysafirët barazuan me anë të Alejandro Garnacho-s, pas një depërtimi të bukur të Dalot dhe një finalizimi të ftohtë nga argjentinasi.
Në pjesën e dytë, Newcastle reagoi menjëherë. Një krosim i Livramentos përshkoi gjithë zonën dhe përfundoi te Jacob Murphy, i cili asistoi për Harvey Barnes që e çoi rezultatin në 2-1.
Situata u përkeqësua për United kur Joshua Zirkzee u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi në kofshë.
Por çdo shpresë për rikthim u shua plotësisht kur Barnes, me një aksion individual, i rrëmbeu topin Mazraoui-t dhe goditi fuqishëm për golin e tretë – duke u bërë lojtari i dytë i Newcastle që shënon dopietë ndaj United në epokën e Premier League, pas Alan Shearer.
Gabimet në portë vazhduan, kësaj here me Bayındır, i cili bëri një pasim të gabuar drejt Joelintonit, që e devijoi topin për Bruno Guimarães, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 4-1.
Kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi në të gjitha kompeticionet për skuadrën e Eddie Howe, që po ecën me hapa të sigurt drejt rikthimit në UEFA Champions League.
Ndërkohë, për Manchester United ky është sezoni më i dobët ndonjëherë në epokën e Premier League, me maksimumi 56 pikë të mundshme edhe nëse fitojnë të gjashtë ndeshjet e mbetura – dy më pak se rekordi negativ i sezonit 2021/22.



