spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
01:41
HomeOpinioneEditorialeNga fjalët te faktet: Kuvendi i Kosovës dhe listat e zgjedhjeve 2025

Nga fjalët te faktet: Kuvendi i Kosovës dhe listat e zgjedhjeve 2025

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

storm•/Editorial: Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë përfaqësues i shtetit tonë. Ai është institucioni ku qytetarët e Kosovës, nëpërmes votës, i japin formë demokracisë përfaqësuese të vendit tonë. Nga ky institucion buron fuqia për të krijuar qeverinë, për të zgjedhur presidentin dhe për të miratuar ligjet që drejtojnë jetën tonë të përditshme. Por, sa reflektojnë listat e deputetëve të propozuara për zgjedhjet e ardhshme këto aspirata dhe këto pritshmëri të qytetarëve?

Prurjet e reja dhe roli i listave

Çdo palë zgjedhje parlamentare sjellin me vete prurje të reja në listat e partive politike. Megjithatë, këto prurje shpesh duken më shumë si manovra simbolike sesa angazhime substanciale për të sjellë ndryshim. Insistimi që individët e rinj të vendosen në krye të listave shpesh është i motivuar nga nevoja për të dërguar mesazhe elektorale të ’rinovimit’, por kjo nuk reflekton domosdoshmërisht një qasje serioze ndaj politikëbërjes.

- Advertisement -

Në anën teknike, modernizimi i sistemit të aplikimit dhe dorëzimit të listave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke mundësuar aplikimin online, tregon hapin drejt thjeshtësimit dhe standardizimit të procesit. Por partitë vazhdojnë të neglizhojnë afatet, një praktikë që dëmton integritetin e procesit zgjedhor.

Problemet me listat aktualisht të publikuara

Tri listat kryesore që janë publikuar deri më tani tregojnë pak ose aspak ndryshim në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Renditja e kandidatëve shpesh pasqyron interesat personale dhe aleancat e liderëve të partive. Po ashtu, përveç disa profesionistëve të spikatur, shumë emra në lista duken të papërshtatshëm për rolin e deputetit.

- Advertisement -

Një problem i përsëritur është përfaqësimi i individëve që kanë aktakuza ose që janë të dyshuar për shkelje ligjore. Kjo është një shuplakë ndaj integritetit të Kuvendit dhe një tregues i dobësisë së kritereve të përzgjedhjes së kandidatëve nga partitë politike.

Kuvendi i duhuri për Kosovën

Kuvendi i Kosovës duhet të jetë një institucion i ndërtuar mbi baza të forta profesionale dhe etike. Ai ka për detyrë të krijojë një kornizë ligjore që mbështet zhvillimin ekonomik, përmirëson jetën shoqërore dhe forcon pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për fat të keq, listat e propozuara deri më tani nuk japin shpresë për një legjislaturë të tillë.

Për të pasur një Kuvend funksional dhe të dobishëm, Kosova ka nevojë për deputetë që sjellin njohuri të thelluara profesionale në fusha si ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe teknologjia. Janë këto fushat ku Kuvendi merr vendime që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve dhe në zhvillimin e vendit.

Thirrje për reflektim dhe ndryshim

Si qytetarë, kemi mundësinë që për herë të parë të votojmë deri në dhjetë kandidatura individuale brenda së njëjtës parti. Kjo duhet të shfrytëzohet për të promovuar ata që me të vërte tërheqin vëmendjen me profesionalizëm dhe integritet.

Për partitë politike, ky është moment reflektimi. Prurjet e reja duhet të jenë rezultat i një procesi serioz të përzgjedhjes dhe jo manovra taktike elektorale. Rruga drejt një Kuvendi që përfaqëson denjësisht interesat e qytetarëve kalon nga kandidatura të cilët kanë vizion, aftësi dhe integritet.

Kosova meriton një Kuvend të denjë, dhe zgjedhjet e 9 shkurtit janë një mundësi për të filluar drejt këtij vizioni.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat