Ish-deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka deklaruar se ajo që po paraqitet si “reflektim” nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, në thelb është vetëm “taktizim elektoral”, i diktuar nga nevoja për të rikthyer votues të zhgënjyer dhe për të zbutur imazhin publik në prag të zgjedhjeve.
Duke komentuar ndryshimet në retorikën e përfaqësuesve të LVV-së, Kica-Xhelili ka thënë se “reflektimi” i shpallur nuk buron nga një ndryshim real qasjeje, por nga kalkulimet politike për të ruajtur pozicionin dhe për të mos rrezikuar rezultatin.
Ajo u ndal edhe te gjuha e përdorur më herët nga zyrtarë të LVV-së ndaj kritikëve, përfshirë etiketimet fyese, duke theksuar se një parti që i ka quajtur qytetarët “hajvanë” nuk mund të shitet lehtë si e reformuar brenda natës – pa përgjegjësi dhe pa kërkimfalje.
Këto qëndrime Kica-Xhelili i shprehu në një paraqitje televizive, ku foli për zhvillimet e fundit politike dhe për mënyrën se si, sipas saj, LVV po mundohet të bindë edhe ata qytetarë që nuk e mbështesin, për të shmangur rënien dhe për të mos rrezikuar të mos dalë e para.



