Në një intervistë për Ekonomia Online, Drejtori i Institutit për Lidership Civil, politologu Argjend Zejnaj, ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të përballet me paqartësi politike, pasi formimi i qeverisë së re mbetet i pasigurt për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ndërmjet partive për një koalicion qeverisës. Ai ka theksuar gjithashtu se certifikimi i rezultateve zgjedhore është një hap kyç për të avancuar negociatat.
Ndërkohë, burime brenda skenës politike konfirmojnë se janë duke u zhvilluar takime joformale mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit. Pozita e kryeministrit, megjithatë, mbetet një nga pengesat kryesore që mund të ndalojë arritjen e një marrëveshjeje mes këtyre partive. Sipas Zejnajt, votuesit kanë dhënë një mesazh të qartë në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke treguar se asnjë parti nuk duhet të qeverisë e vetme, gjë që rrit nevojën për një koalicion qeverisës.
Në mungesë të presionit nga SHBA dhe BE, Zejnaj paralajmëron se ngërçi politik mund të zgjasë për një periudhë më të gjatë. Ai shton se moscertifikimi i rezultateve zgjedhore po u ofron partive politike një alibi për të vonuar negociatat dhe për të shmangur bisedimet serioze për një marrëveshje qeverisëse. Sipas tij, një rritje e presionit ndërkombëtar do të ishte vendimtare për të përshpejtuar krijimin e institucioneve të reja, të cilat mund të formohen në fillim të pranverës, nëse ka ndërhyrje nga faktorë ndërkombëtarë.



