Nigeria i është përgjigjur kërcënimit të Donald Trump për veprime ushtarake duke sugjeruar se do të mirëpriste ndihmën në përballjen me kryengritësit islamikë, por këmbëngul se Amerika duhet të respektojë sovranitetin e saj.
“Ne e mirëpresim ndihmën e SHBA-së për sa kohë që ajo njeh integritetin tonë territorial”, tha për Reuters Daniel Bwala, këshilltar i presidentit nigerian, Bola Tinubu.
Por Bwala kërkoi gjithashtu të minimizonte tensionet midis dy kombeve, pavarësisht se zoti Trump e quajti Nigerinë një “vend të turpëruar”.
“Karakterizimi i Nigerisë si intolerante ndaj feve nuk pasqyron realitetin tonë kombëtar, as nuk merr në konsideratë përpjekjet e vazhdueshme dhe të sinqerta të qeverisë për të mbrojtur lirinë e fesë dhe besimeve për të gjithë nigerianët”.
Reagimi i saj vjen pas postimit në Truth Social, të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili pretendoi se islamistët radikalë po kryejnë “masakra masive” dhe se Krishterimi po “përballet me një kërcënim ekzistencial” në kombin e Afrikës Perëndimore.
Të shtunën, ai u kërkoi zyrtarëve të përgatiteshin për një veprim të mundshëm ushtarak “të shpejtë” në Nigeri nëse vendi nuk arrin të marrë masa të ashpra kundër vrasjes së “mijëra të krishterëve”.
Trump citoi shifra që sugjeronin se 3,100 të krishterë ishin vrarë në Nigeri , por nuk dha asnjë burim për shifrat apo afatin kohor.
“Ne jemi të gatshëm dhe të aftë për të shpëtuar popullsinë tonë të madhe të krishterë në mbarë botën!”.
Nigeria tani i bashkohet Koresë së Veriut, Rusisë, Arabisë Saudite, Iranit, Pakistanit dhe Kinës në një listë vendesh “të një shqetësimi të veçantë” për shkak të shkeljeve të lirisë fetare.
Analistët kanë thënë se, ndërsa të krishterët janë ndër të shënjestruarit, shumica e viktimave të grupeve të armatosura janë myslimanë në veriun me shumicë myslimane të vendit, ku ndodhin edhe shumica e sulmeve.
Lëvizja e Trump vjen pas përpjekjeve të senatorit republikan Ted Cruz për të bindur të krishterët evangjelistë të lobojnë në Kongres lidhur me pretendimet për “vrasje masive të të krishterëve” në Nigeri.
Boko Haram – i cili rrëmbeu më shumë se 270 nxënëse shkolle në vitin 2014 – është grupi kryesor i cituar në paralajmërimet e mëparshme nga qeveritë amerikane dhe ndërkombëtare.
Grupi ka kryer “shkelje të rënda të lirisë fetare”, sipas një raporti të vitit 2021 nga Komisioni dypartiak i SHBA-së për Lirinë Fetare Ndërkombëtare.
Thuhet se më shumë se 37,000 njerëz janë vrarë nga grupet islamike në Nigeri që nga viti 2011.
Kishat dhe lagjet e krishtera janë shënjestruar në të kaluarën, por ekspertët thonë se myslimanët janë viktimat më të zakonshme të sulmeve të Boko Haram, të cilat rregullisht synojnë policinë, ushtrinë dhe qeverinë.
Grupe të tjera që thuhet se veprojnë në vend përfshijnë degën e Boko Haram, Shtetin Islamik – Provinca e Afrikës Perëndimore (ISWAP).



