Besimtarët myslimanë kanë nisur muajin e shenjtë të Ramazanit, një periudhë e mbushur me reflektim shpirtëror, solidaritet dhe përkushtim ndaj vlerave më të larta njerëzore e fetare.
Ramazani, një nga pesë shtyllat e Islamit dhe muaji i nëntë i kalendarit islamik, është kohë agjërimi, lutjeje dhe bamirësie, si dhe muaji në të cilin zbriti Kurani, udhëzim dhe mëshirë për mbarë njerëzimin.
Me rastin e fillimit të këtij muaji të bekuar, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët dhe qytetarët.
Në mesazhin e tij, ai e ndërlidhi fillimin e Ramazanit me 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e kësaj periudhe si në aspektin shpirtëror, ashtu edhe në atë kombëtar. Ai kujtoi sakrificën historike që çoi në shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, duke nënvizuar se besimi ka qenë gjithmonë burim frymëzimi për angazhim qytetar dhe kombëtar.
Myftiu theksoi se Ramazani është “shkollë e shpirtit”, ku besimtari forcohet në devotshmëri, durim dhe bujari, duke sjellë në vëmendje shembullin e Profetit Muhamed a.s., bujaria e të cilit arrinte kulmin gjatë këtij muaji.
Në fjalën e tij, ai theksoi se mesazhi i Ramazanit është paqja. Sipas tij, ai pastron zemrën nga urrejtja, ndalon fyerjen dhe e ngre respektin në themel të bashkëjetesës. Është thirrje për vetëpërmbajtje, vëllazëri dhe dashuri aktive, që sjell harmoni shoqërore. Nxitja e urrejtjes, theksoi ai, është mëkat i rëndë dhe tradhti ndaj frymës së këtij muaji, duke bërë thirrje që të ruhet vëllazëria dhe kombi me zemër të pastër dhe me vendosmëri që dashuria të triumfojë mbi çdo përçarje.
Ai përcolli urimet më të sinqerta për një Ramazan të begatë, duke lutur që ky muaj të sjellë bashkim në vlera, forcim të besimit dhe mirësi për të gjithë popullin dhe Republikën e Kosovës.
Gjatë Ramazanit, besimtarët myslimanë angazhohen gjithashtu në aktivitete bamirësie dhe ndihmojnë ata që janë në kushte më të vështira. Kryetari Spahiu inkurajoi besimtarët që të jenë më solidarë dhe të shtrijnë dorën për të ofruar mbështetje për familjet në nevojë, për të pasur një ndikim pozitiv dhe për të kontribuar në shoqëri.
Ramazani, si një periudhë e shenjtë e besimit mysliman, është një mundësi për t’u angazhuar në përmirësimin e vetvetes dhe për të ofruar ndihmë për ata që kanë më shumë nevojë. Ai është një muaj i reflektimit shpirtëror, solidaritetit dhe dashurisë për njëri-tjetrin, duke e bërë atë një moment të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve njerëzore dhe për përhapjen e paqes dhe mirëkuptimit global.



