Kisha e Profetit Ilia në fshatin Lekël në Tepelenë do të restaurohet pas dëmtimit që pësoi vitin e kaluar nga zjarret.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha se ka nisur puna restauruese, që synon rikthimin e këtij Monumenti Kulture në gjendjen e tij origjinale duke ruajtur vlerat historike e arkitektonike.
Për restaurimin e “Profetit Ilia” janë angazhuar specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër.
Në Kishën e Profetit Ilia po realizohen punime konservuese, që përfshijnë rindërtimin e çatisë tradicionale, konsolidimin e strukturës dhe restaurimin e elementëve karakteristikë të objektit.
“Ky proces rimëkëmbjeje nënvizon edhe rëndësinë e strategjive të mirëstrukturuara dhe të koordinuara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga rreziqet natyrore dhe ndryshimet klimatike”, bëri të ditur ministri Gonxhja.
Ai e vlerësoi si, thelbësore përfshirjen e sektorëve të ndryshëm për parandalimin, reagimin dhe rikuperimin e monumenteve, duke garantuar që këto pasuri të çmuara të ruhen për sot, për komunitetin, për interesin që ngjallin tek vizitorët vendas e të huaj, dhe për brezat e ardhshëm. /atsh



