Nga: Shenoll Muharremi
Bllokada politike që ka paralizu institucionet publike dhe Kosovën një ditë do të kalojë, edhe pse nuk po i shihet fundi. Kjo epizodë e hidhur në historinë e re politike do të përfundojë mesiguri përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme, më së largu në pranverë të vitit të ardhshëm. Por çka do të ndodhë pastaj?
Aktualisht kjo krizë politike me pasoja të mëdha socio-ekonomike ka një shije aq të hidhur, saqë kur kjo përfundon e kalon, krijohet një përshtypje që gjithçka do bëhet mirë. Por a është e vërtetë kjo?
Sfidat më të mëdha të Kosovës, pos kësaj krize, janë disa tjera si kapacitetet e energjisë dhe struktura dhe identiteti ekonomik i saj. Cilësia e arsimit. Mbrojtja dhe siguria kombëtare.
Këto janë disa tema të jashtëzakonshme për të cilat ne ende nuk kemi zgjidhje si shoqëri. Zgjidhjet ekzistojnë, por ne nuk kemi as kapacitet, as vullnet e dëshirë me i gjetë me bashkëpunim socio-politik.
Mëngjes lexova në Reuters se si kërkesa në rritje për energji nga industria në rritje e AI mundet me rritë koston e energjisë deri 20% në një pjesë të SHBA-së.
Kjo tregon që energjia do të vazhdojë të mbetet problem global dhe çmimet mundet me u rritë ende. Rrjedhimisht, Kosova, pa një veprim të shpejtë në krijim të kapaciteteve të theksuara menjëherë, nuk mundet as me mendu për asgjë tjetër.
Kriza aktuale e energjisë mundet me shkatërru ekonominë dhe vendin nëse rriten çmimet ende globalisht. Kosovës urgjent i duhen rreth 500 MW kapacitete të reja me kalu krizën e me marrë frymë, pastaj edhe ndoshta dy gigavat tjera brenda dhjetë viteve për me furnizu ekonominë që duhet me u rritë dukshëm nga niveli aktual. Kjo është vetëm sa për fillim.
Pastaj i kemi rezultatet e fundit në Arsim nga testet e arritshmërisë. Ne po i presim ato të PISA zakonisht, por edhe këto që i kemi janë informata të dobishme. Në Matematikë dhe sidomos Anglisht kemi një rënie tepër dramatike. Në Anglisht kemi rezultate mbi 45% më të dobëta se vite më parë. Edhe indeksi mesatar është më i dobët.
Kjo sugjeron që ne do të kemi telashe me kapacitet human për ekonominë tonë dekadën e ardhshme. Kjo e vështirëson gjendjen dhe gjetjen e zgjidhjeve ekonomike. Pra na nevojiten zgjidhje të shpejta, efektive për rritje të konsiderueshme të kualitetit të arsimit dhe përmirësim dramatik të rezultateve për me pas gjasa me kriju një identitet të ri ekonomik për Kosovën.
Pastaj i kemi sfidat e identitetit të ekonomisë dhe mbrojtjes. Struktura aktuale me një import e deficit tregtar astronomik kronik është krejtësisht e paqëndrueshme dhe me rreziqe të larta për të ardhmen. Po rritet importi e deficiti (dyfish për pak vite), e kjo po krijon presion tek bizneset dhe prodhuesit vendorë si dhe po gjeneron inflacion nga varshmëria nga jashtë.
Dmth Kosova ende nuk ka një identitet ekonomik dhe nuk e ka idenë se ku do ta fokusojë e koncentrojë ekonominë e saj. E as resurse nuk ka. Cilat janë? Kemi qymyr, po ajo do na duhet për me zgjidhë problemin me energji vetëm, që është njëri nga problemet bazike. Tjera resurse nuk kemi në dispozicion. Kjo nënkupton që identiteti ekonomik duhet me u bazu në industri të reja.
Fokusi në industritë e shërbimeve në ICT dhe AI mundet me qenë një potencial, por Kosova duhet me kalu varg male të larta për me kriju kushte dhe një situatë që jep rezultate në këtë drejtim. Teknologjia dhe AI mundet me na ndihmu edhe për reforma e përparim të mirë në arsim, shëndetësi dhe drejtësi nëse i adaptojmë dhe aplikojmë si duhet. Por me arritë këtë duhet, përpos kapaciteteve të shtuara të energjisë, edhe kapacitete njerëzore, krijim të ekosistemit dhe biznese e shkolla të mira. Me këto rezultatet që kemi sot nga testet e arritshmërisë, kjo nënkupton që pa e rritur cilësinë e arsimit (pos energjisë) nuk ka gjasa.
Vetëm shikoni rezultatin e anglishtes që ka rënë aq keq vitet e fundit. E energjia, arsimi dhe ekonomia janë parakushte për me adresu mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare. Pra pa resurse e pa ekonomi të fortë nuk ka mbrojtje e siguri kombëtare, se ato blihen me euro e jo me fjalë të politikanëve e qeveritarëve. Ndoshta Kosovës i duhet rreth 3 miliardë euro investime menjëherë gjatë pesë viteve të ardhshme, dhe deri 10 miliardë brenda dhjetë viteve për me kriju infrastrukturën mbrojtëse që i nevojitet me ekzistu pa prezencën e KFOR-it.
Për me arritë këtë, ekonomia e Kosovës duhet së paku me u dyfishu nga niveli aktual. Rrjedhimisht, Kosovës i duhet një ekonomi nga rreth 11 miliardë aktualisht në 20 deri 25 miliardë euro që me garantu resurse për mbrojtje dhe me pas mirëqenie e paqe të qëndrueshme. POR ekonomia nuk rritet pa i adresuar parakushtet si energjia dhe arsimi. Pra jemi në një rreth ku i kemi disa parakushte thelbësore për me kalu tek temat kryesore.
Për këto sfida nuk ka as diskutim e as zgjidhje.
Partitë politike dhe institucionet publike nuk i kanë adresu thelbësisht e nuk kanë ofru zgjidhje për to. E këto, edhe me Kuvend e Institucionet Publike funksionale, nuk bëhen vetvetiu automatikisht. Për këto nuk po tregojmë që kemi as vullnet e dëshirë me i adresu dhe zgjidhë. Po tregojmë një mendësi të tillë që dikush tjetër e ka obligim me ardh me i adresu e rregullu këto. Ku ta di, BE apo SHBA mendojmë ndoshta, po kjo nuk qëndron. Askush nuk do të vijë nga jashtë me i adresu e rregullu këto.
Prandaj, kriza e Kuvendit do të zgjidhet. Por çfarë pastaj? Këto janë pyetje dhe tema që do të duhej të mos i fusim nën jorgan por sa më shpejt t’i adresojmë dhe zgjidhim që të fillohet me zbatimin e tyre.
Këto janë tema e punë që nuk presin asnjë sekondë, se pasojat janë dramatike secilën ditë që kalon pa i adresuar e zgjidhur. E zgjedhja është e jona, e shoqërisë kosovare. Nëse ne dëshirojmë me i zgjidhë sfidat tona ekzistenciale, zhvillimore, civilizuese, apo me vazhdu me politikë primitive ku sulmohet për asgjësim kundërshtari politik, sikurse po ndodhë tani.