spot_img
E mërkurë, 1 Tetor, 2025
01:03
HomeKosovaDrejtësiaNuk i përfshiu katër komunat në rritjen e tarifave të energjisë, dorëzohet...

Nuk i përfshiu katër komunat në rritjen e tarifave të energjisë, dorëzohet padia e dytë për ZRRE-në

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Mospërfshirja e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 16.1 për qind ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik. Madje kjo po konsiderohet nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) se është diskriminim flagrant dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Përveç kësaj, përjashtimi i këtyre katër komunave nga rritja e çmimit të rrymës po cilësohet edhe si pabarazi sociale dhe ekonomike në vend.

- Advertisement -

Ndërkaq, më 2 maj grupi “Asnjë Cent Më Shumë” ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke kërkuar anulimin e vendimit për rritjen tarifave të energjisë.

Avokati i angazhuar në këtë çështje, Ardian Bajraktari thotë për KosovaPress se në padi është përfshirë edhe përjashtim i katër komunave veriore nga tarifat e reja me rritje prej 16.1 për qind.

- Advertisement -

Sipas tij, mospërfshirja e komunave veriore në vendimin e ri të ZRRE-së për rritje të tarifave, është diskriminuese.

“Vendimi i Zyrës së Rregullatori të Energjisë është marrë me shkelje të shumta ligjore, në kuadër të cilave natyrisht që mospërfshirja e komunave e bënë këtë vendim të natyrës diskriminuese në bindjen tonë. Për çka e kemi konfirmimin tashmë të dhënë madje edhe medias tuaj nga ana e ZRRE-së që katër komuna përjashtohen dhe në bindjet dhe pretendimet tona në padi, një vendim i tillë ndër të tjera është i natyrës diskriminuese. Për çka, përveç asaj që e kemi përcaktuar në padi, fakti që para dy ditësh është përshirë edhe institucioni i avokatit të popullit është një lajm i mirë…Kemi të bëjmë me vendim të natyrës diskriminuese për çka hyn në domenin e çështjeve sipas të cilave është kompetencë e avokatit të popullit që të përfshihet në raste të tilla”, thotë Bajraktari.

Bajraktari u shpreh se pas dorëzimit të padisë, pret që gjykata ta shqyrtojë çështjen mbi bazën e provave të ofruara, duke anuluar vendimin e ZRRE-së.

“Ne presim që gjykata konform afateve të përcaktuara me dispozitat e ligjit për konflikt administrativ me theks të veçantë sa i përket çështjes së masës së përkohshme, përkatësisht masës së sigurisë, shtyrjen e ekzekutimit të vendimit e vendos komform këtyre afateve. Pas kësaj, presim që çështja të shqyrtohet mbi bazën e provave dhe pretendimeve që i kemi adresuar tek gjykata. Për çka në bindjen tonë vlerësojmë që janë të qëndrueshme dhe rrjedhimisht të anulohet një vendim i tillë si i pabazuar dhe ligjërisht me shkelje të shumta”, potencon Bajraktari.

Pas reagimeve të shumta në opinion, ZRRE ndërroi qëndrim, duke thënë se tarifat e reja do të vlejnë për gjithë territorin e Kosovës.

Por, menjëherë reagoi edhe kompania Elektrosever e cila operon në veri të Kosovës, e cila tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind nga 1 maji nuk vlen për katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.

Pas kësaj, sërish ZRRE i është përgjigjur KosovaPress-it se “Megjithatë, tarifat përfundimtare që Elektrosever i aplikon konsumatorëve të saj në veri janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe jo të ZRRE-së”.

Lidhur me këtë, drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala thotë për KosovaPress se ZRRE-ja nuk mund të krijojë çmime në baza etnike, sepse është diskriminim flagrant.

Ai potencon se ky vendim nuk është i drejtë dhe se sipas tij ZRrE-ja po i mashtron qytetarët.

“Nuk mundet në një vend ku e ke një sistem energjetik, t’i krijosh dy-tri sovranitete dhe nuk mund t’i krijosh çmime në baza etnike. Për serbë çmimi tjetër, për shqiptarë dhe jo serbë çmim tjetër. Ky është diskriminim flagrant, është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Për neve si KMLDNJ është e habitshme se si qytetarët po reagojnë…Sovraniteti në veri, në vend që ta ketë ZRRE-ja në tërë territorin e Kosovës, e ka bërë me Elektroseverin. ZRRE-ja po gënjen, ZRRE-ja po mashtron dhe nuk ka të drejtë. ZRRE-ja po e keqpërdorë një përkrahje politike që e ka dhe është duke i plaçkitur qytetarët e Kosovës”, thotë Shala.

Në anën tjetër, ZRRE-ja tregon se Elektrosever është furnizues i licencuar nga ZRRE-ja, por ndryshe nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), nuk ka statusin e furnizuesit me shërbim publik (universal).

Në përgjigjen e ZRRE-së potencohet se tarifat përfundimtare që Elektrosever i aplikon konsumatorëve të saj në veri janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe jo të ZRRE-së.

“Sa i përket konsumatorëve në katër komunat veriore (Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe pjesë të Mitrovicës Veriore), ata furnizohen nga kompania “Elektrosever”. Elektrosever është furnizues i licencuar nga ZRRE-ja, por ndryshe nga KESCO, nuk ka statusin e furnizuesit me shërbim publik (universal). Për këtë arsye, Elektrosever ka përgjegjësi që të paguajë tarifat për përdorimin e rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes, të cilat përcaktohen nga vendimi i Bordit të ZRRE-së. Megjithatë, tarifat përfundimtare që Elektrosever i aplikon konsumatorëve të saj në veri janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe jo të ZRRE-së”, thonë nga ZRrE-ja.

Tutje në një përgjigje për KosovaPress, ZRrE-ja thotë se vendimi i 16 prillit ka ndikim ndaj Elektrosever-it vetëm në aspektin e tarifave për shfrytëzimin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes, ndërsa nuk përcakton tarifat finale që paguajnë konsumatorët serbë në veri të Kosovës.

“Vendimi i 16 prillit i ZRRE-së ka ndikim ndaj Elektrosever-it vetëm në aspektin e tarifave për shfrytëzimin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes, ndërsa nuk përcakton tarifat finale që paguajnë konsumatorët serbë në veri të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë thotë se vendimi i 16 prillit që tarifat e energjisë elektrike të rriten për 16.1 për qind, përcakton tarifat për konsumatorët që furnizohen nga KESCO,në territorin e Kosovës.

“Vendimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i datës 16 prill 2025, që parasheh rritjen e tarifave të energjisë elektrike, zbatohet për furnizuesin me shërbim universal në Kosovë, i cili është KESCO. Ky vendim përcakton tarifat për konsumatorët që furnizohen nga KESCO,në territorin e Kosovës”, thuhet aty.

Ndërkaq, Institucioni Avokatit të Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) pezullimin e vendimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind, deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.

Po ashtu Grupi qytetar “Asnjë Cent Më Shumë” të premten, ka dorëzuar zyrtarisht padi kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në lidhje me vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

ZRRE më 16 prill ka aprovuar tarifat e reja për shtrenjtimin e rrymës nga data 1 maj, e cila ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha dhe ka nxitur edhe një valë të re të inflacionit, pra shtrenjtimin e disa produkteve tjera esenciale.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat