Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë ditës së zgjedhjeve lokale nuk është ndaluar asnjë person për veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Rreth 100 prokurorë dhe personel të sistemit prokurorial kanë punuar gjatë gjithë ditës për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Gjatë ditës, Prokuroria ka pranuar disa informata, dhe pas verifikimit, vetëm dy raste kanë paraqitur elemente të mundshme të shkeljeve:
Fshati Bare – Mitrovicë Jugu: Rasti për veprën penale “Cenim i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Kllokot – Gjilan: Rasti për veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, ku e dyshuara është liruar gjithashtu në procedurë të rregullt.
Prokurorët do të vazhdojnë të jenë të pranishëm gjatë numërimit të votave deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit falënderon qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar gjatë këtij procesi, në parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale gjatë zgjedhjeve.