Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e dhëna në marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.
Ai ka theksuar se është momenti që Kosova të përkufizojë pamjen e vet, ndërsa ka shtuar se “Kurti e kupton këtë”.
“Dëshiroj që ato të zbatojnë plotësisht zbatimet e marra me marrëveshje. Jemi në një çast interesant, kur kryeministri Kurti, mendoj se e kupton se ka mundësi për të thënë, kjo është se si duam që Kosova të duket dhe që të formësojë mënyrën se si reagon bashkësia ndërkombëtare”, tha O’Brien.
Tutje, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, theksoi se rritja ekonomike e të dyja vendeve mund të bëhet nëse ato zbatojnë marrëveshjen bazë dhe aneksin e Ohrit, duke theksuar se “kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara”.
“Ndërsa mendoj se edhe presidenti Vuçiq e sheh si një mundësi që të rritet ekonomia shumë më shumë se që është rritur dhe Serbia ka pasur rritje të mirë ekonomike kohëve të fundit, por që të ketë rritje edhe më të madhe, duhet që të ketë një akomodim politik përgjatë viteve të ardhshme përkitazi me Kosovën. Mënyra më e mirë është përmes marrëveshjes bazë dhe aneskit të Ohrit, kjo është mënyra për të ecur përpara”, tha O’Brien.
Në të kundërten, ai theksoi se nëse do të ketë ngecje sërish në dialog, të dyja vendet do të humbasin, siç i quajti ai, “mundësitë e hatashme” për vendin e tyre.
“Mendoj se sanksioni kryesor është se të dyja vendet e kanë humbur një mundësi të hatashme për vendin e tyre”, tha O’Brien në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Ndihmës Sekretari theksoi se është e rëndësishme që Kosova të jetë mos anashkalohet, por të jetë pjesë e diskutimeve dhe garës që po zhvillohet nga shumë vende për investime të reja.
“Ballkani Perëndimor ka mundësi të arta për të integruar ekonominë e vet, por edhe për t’iu bashkuar tregut të njësuar evropian, që shkon me planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor, i cili ofron mundësi për të tregtuar me energji, me mallra dhe shërbime të ndryshme në tërë Evropën. Ky është motori që e shtyn rritjen e ekonomisë në mënyrë dramatike, andaj më vjen shumë mirë që Kosova është bërë pjesë e këtij komuniteti”, tha O’Brien në “Politiko”.
Ai theksoi se me Kurtin kanë biseduar gjithashtu për mundësitë që Kosova të ecë më shpejt drejt Evropës.
O’Brien tha se SHBA është e vetëdijshme që po arrihet përparim në integrimin e serbëve, porse shtoi se me Kurtin kanë biseduar pikërisht për qasje të ndryshme që duhet të ndërmerren tash e tutje.
Ai theksoi se vendi duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi, pasi sipas tij, në të kundërtën Kosova nuk mund ta ketë atë për një kohë të gjatë.
“Duam që të dy vendet dhe të gjitha vendet e rajonit të ecin sa më shpejt që është e mundur. Duam që kufinjtë të rrijnë të hapur që shoqëritë të punojnë bashkërisht në eksportimin e të mirave, mallrave dhe që njerëzit të punojnë dhe jetojnë në një vend tjetër. Duam që vendi ta shfrytëzojë këtë mundësi sepse nganjëherë e keni një mundësi dhe nëse nuk do ta shfrytëzoni, nuk do ta keni atë për një kohë të gjatë”, tha O’Brien në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
I pyetur se a mori ndonjë porosi apo sinjal pozitiv nga kryeministri lidhur me dialogun gjatë takimit, O’Brien tha se Kurti e kupton që për Kosovën tashmë është një çast unik, ndërsa përmendi në veçanti tranzicionet në BE dhe SHBA që pritet të ndodhin, e që sipas tij, këto ofrojnë një mundësi të mirë për Kosovën.



