Muzeu Historik Kombëtar kujton sot nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit (qytet në periferi të Stambollit) më 3 mars 1878, që shënoi një moment kritik në gjeopolitikën e Ballkanit.
Ky traktat diktoi riorganizimin territorial pas luftës ruso-turke (1877-1878).
Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj.
Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës.
Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar.
Ky dokument parashihte zgjerimin e shteteve sllave, duke përfshirë brenda kufijve të Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi pjesë të trojeve shqiptare si Korçën, Pogradecin, Tetovën, Ulqinin dhe zonën e Plavë-Gucisë.
Reagimi ndaj planeve për copëtimin e territorit nxiti një lëvizje të gjerë proteste, e cila kulmoi me formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878).
Traktati i Shën Stefanit u rishikua më vonë në Kongresin e Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878). Ai mbetet pika e nisjes që mobilizoi diplomacinë dhe mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. /atsh



