Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është arrestuar B.K., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
I dyshuari B. K., është ndaluar në rajonin e Prishtinës, dhe në autobusin që po e drejtonte, i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës narkotike, që dyshohet të jetë rreth 120 kg.
Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë së bashku me Prokurorinë Speciale, janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.
B.K., me vendim të Prokurorisë Speciale është ndaluar për 48 orë.



