Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë ka qëndruar në Janjevë si mysafire në dy familje për festën e Krishtlindjes.
“Në festat e fundvitit, kur vlerat njerëzore marrin kuptim më të thellë dhe shtëpitë mbushen me ngrohtësi, mbrëmë patëm nderin të jemi mysafir në familjen e Vjekoslav Toshiq nga komuniteti kroat si dhe në familjen e Anton Gashit, të dyja familjet në Janjevë, për t`ua përcjellë urimet më të sinqerta dhe frymën përbashkuese të festës së Krishtlindjes”, ka shkruar Osmani që ka publikuar edhe fotografi nga festa në këto familje.

Tutje, Osmani thotë se Kosova është më e fortë falë frymës së bashkëjetesës.
“Festat gjithnjë na kujtojnë se paqja, dashuria dhe shpresa janë vlera që jetojnë në familjet tona dhe në traditën tonë të përbashkët për kremtimin e festave, siç i kemi ndarë gjithmonë, së bashku, me respekt e mirëkuptim. Kosova jonë është më e fortë pikërisht falë kësaj fryme bashkëjetese, mikpritjeje dhe solidariteti, që na ka mbajtur të lidhur ndër breza”, ka shkruar Osmani, derisa ka falënderuar të dyja familjet për mikpritjen.




