Osmani: Zbatimi i marrëveshjes nga Kosova vetëm në këmbim të anëtarësimit në NATO, nëse Serbia refuzon
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse Serbia s’e kryen pjesën e saj për zbatim të marrëveshjes atëherë si alternativë do të duhej të ishte diskutimi me aleatët për zbatimin e pjesës së saj “vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare”.
Ajo ka shpjeguar qëndrimin e saj mbi këtë çështje.
“Ajo çfarë kam thënë është që 1. zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe 2. Si alternativë, si presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes (gjë që unë besoj se nuk do ta bëjë, edhe nëse e nënshkruan), atëherë ne do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare, garancitë e sigurisë nëpërmjet BSA-së, si dhe mbështetje për njohje të reja. Thënë troç, për mua, më shumë sesa nënshkrimi i Presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i Presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë”.
Ajo tha se “dialogu me Serbinë i udhëhequr nga BE-ja, fatkeqësisht ka qenë komplet i pabalansuar me një trajtim të padrejtë ndaj Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm të Serbisë. Fakti që në tavolinën e dialogut sot, shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa, kurse viktima e këtij agresioni, Kosova, është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje, nga të gjithë ata që vërtetë duan paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë. Por, kjo nuk do të thotë se edhe ne nuk duhet të vetë-reflektojmë për rrugën e deritanishme dhe si mund të bëhen gjërat më mirë”.
Osmani: Afrim Bunjaku dhe shokët e tij dëshmuan më 24 shtator që Kosova nuk fal asnjë pëllëmbë tokë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj vjetor në Kuvend ka përmendur edhe sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë.
Ajo ka thënë atë ditë rreshteri i ndjerë Afrim Bunjaku bashkë me kolegët e tij në Polici i kanë treguar Serbisë që Kosova nuk ka asnjë pëllëmbë toke për të falur.
“Përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar stabilitetin e brendshëm dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, sa vijnë e shtohen e po kështu shtohet përkushtimi dhe mobilizimi ynë për t’i parandaluar ato. 24 shtatori i vitit 2023, mëngjesi fatal në Banjskë për shkak të aktit të agresionit të Serbisë, ishte dëshmia më e qartë e kësaj. Atë mëngjes, heroi ynë, Afrim Bunjaku me shokë, i treguan Serbisë dhe gjithë dashakeqëve se Kosova nuk ka asnjë pëllëmbë për të falur dhe se mbrojtja es shtetit tonë është betimi ynë i përjetshëm. Ende, 424 ditë më pas, nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë.”
Ajo tha se Serbia po vazhdon të minojë përpjekjet e vendeve të rajonit për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
“Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve tjera të rajonit për paqe, siguri e stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke i shërbyer agjendës së Rusisë së Putinit, me format më perfide të luftës hibride, në mbajtjen e tensioneve të vazhdueshme e duke synuar shkatërrimin e vendeve fqinje.”
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj qëndrojnë dhe do të qëndrojnë fuqishëm mbi vlerat e lirisë, paqes, demokracisë, përderisa institucionet tona vendore të sigurisë dhe mbrojtjes janë të përkushtuara maksimalisht që në bashkëpunim të plotë me aleatët tanë të sigurisë, të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror, si dhe të sigurojnë zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve e të mbrojnë jetën, pronën, lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim.”
Osmani: Koordinimi me aleatët është mbrojtje, jo shantazh – bixhozi me aleancat rrezikon sigurinë e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në adresimin vjetor para Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët nuk është nënshtrim e as shantazhim.
Osmani ka thënë se aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido politikan apo cilado palë zgjedhjesh, duke theksuar se asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim.
Sipas saj, Presidenca e Kosovës, pas pavarësisë, nuk i ka pasur dyert më të hapura asnjëherë më shumë sesa këtë mandat.
“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Andaj, rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se, dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Unë besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhjesh”, ka thënë Osmani para deputetëve.
Osmani ka thënë se vënia në rrezik, luajtja bixhoz apo cenimi i këtyre aleancave, e cenon vetë mbrojtjen e Kosovës.
“Ato janë gurthemel i sukseseve tona dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e superfuqive botërore: do të shihni qindra fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk munden t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime e vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara”, ka thënë Osmani.



