Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme bilaterale e multilaterale në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në një video përmbledhëse të aktiviteteve, presidentja theksoi se, pavarësisht sfidave e problemeve me të cilat përballemi, aktiviteti nuk do të ndalet, sepse siç tha “Kosova është shtet që e meriton të jetë i barabartë në mesin e kombeve të lira”.
Ajo nënvizoi gjithashtu se “lidhja mes popullit të Kosovës dhe atij amerikan është historike dhe e pathyeshme”.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Osmani pati takime të shumta me liderë botërorë, përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare dhe anëtarë të Kongresit e Senatit amerikan. Ajo zhvilloi biseda përmbajtësore me presidentin e SHBA-ve, Donald J. Trump, Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, Zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, si dhe me një numër kongresistësh e senatorësh amerikanë.
Në kuadër të përpjekjeve për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, Osmani u takua edhe me udhëheqës të vendeve evropiane, aziatike dhe afrikane, si dhe me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si NATO, BE, Liga Arabe, Selia e Shenjtë dhe OBSH.
Presidentja mori pjesë edhe në një sërë aktivitetesh të tjera, përfshirë panelin mbi sistemin global të refugjatëve dhe azilit të organizuar nga Qeveria Amerikane, fjalime e ligjërata në Universitetin e Pittsburgh, pjesëmarrjen në Clinton Global Initiative, si dhe vizitën në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane.
Ajo u nderua gjithashtu me çmime dhe mirënjohje, mes tyre Çelësin e Qytetit të Waterbury në Connecticut dhe Women Empowerment Award nga organizata “Fashion 4 Development”.
Një vend të veçantë në agjendën e saj e zuri takimi me komunitetin shqiptaro-amerikan në New York, Waterbury dhe Philadelphia, ku Osmani u shpreh se mërgata ka qenë gjithmonë forcë e pazëvendësueshme për zhvillimin e Kosovës.