Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se në fund të muajit maj ka pranuar informacione nga institucionet e sigurisë për një përshkallëzim të mundshëm të planifikuar nga Serbia.
Ajo i siguroi qytetarët se nuk ka arsye për shqetësim apo panik, pasi institucionet e sigurisë janë të mobilizuara dhe kanë gjithçka nën kontroll.
Në një konferencë për media të enjten pasdite, presidentja ka dhënë detaje të reja për deklaratat që bëri gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se, presidenti amerikan Donald Trump kohëve të fundit ka parandaluar një përshkallëzim të sigurisë në Kosovë nga Serbia.
“Në fund të majit kemi marrë informacione për veprimet e Serbisë pranë kufirit me Kosovën. Këto janë informata të besueshme nga institucionet tona të sigurisë”, deklaroi Osmani, duke theksuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për mobilizimin dhe mbrojtjen e vendit.
Ajo tha se ka ndarë informacionet me aleatët ndërkombëtarë, duke kërkuar mbështetje për të ndalur përshkallëzimin e planifikuar nga Serbia.
Osmani theksoi se gënjeshtrat e Serbisë janë pjesë e propagandës, njësoj si para aktit të agresionit në shtator të vitit 2023.
“Kam pasur takime me institucionet e sigurisë, jemi siguruar që ka mobilizim e duhur për mbrojtjen e vendit. Po ashtu, kam ndarë këto informata me aleatët tanë të sigurisë, duke kërkuar mbështetjen për ta ndaluar përshkallëzimin e planifikuar nga ana e Serbisë. Gënjeshtrat e Serbisë, kinse ajo nuk ndërmerr hapa destabilizues, janë pjesë e propagandës së tyre. Deklarata të tilla kishin edhe pak para aktit të agresionit të shtatorit të vitit 2023, por edhe në çdo akt agresioni tjetër. I siguroj qytetarët e Kosovës se nuk ka arsye as për shqetësim e as për panik, sepse institucionet tona janë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufijve dhe të sigurisë së të gjithë qytetarëve tanë. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona i kanë gjithçka në kontroll, në bashkëpunim të ngushtë edhe me aleatët tanë”, theksoi ajo.
Ajo tha se ky vlerësim bazohet në informata të siguruara nga institucionet e sigurisë, përfshirë të dhëna të reja të marra në fund të muajit maj për veprimet e Serbisë në kufijtë e Kosovës.
“Në të gjitha takimet gjatë këtyre vizitave kemi folur edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë. Siç e dini, gjatë vizitës sime kam deklaruar se Serbia ka pasur qëllim dhe ende ka qëllim që të destabilizojë situatën në të gjithë rajonin tonë dhe të përshkallëzojë situatën në Kosovë. Ky vlerësim është bërë në bazë të informatave të vazhdueshme që ne si institucione i marrim nga institucionet e Republikës së Kosovës. Në fund të muajit maj kemi marrë informata të reja specifike në lidhje me veprimet e Serbisë në kufijtë e Kosovës”, deklaroi Osmani.
Ajo njoftoi për diskutime konkrete për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe fushat me interes të përbashkët, përfshirë edhe interesimin e administratës Trump.
“Në SHBA kemi pasur takime të rëndësishme. Në të gjitha këto takime është konfirmuar se Shtetet e Bashkuara e shohin Kosovën si aleate strategjike. U rikonfirmua përkrahja për shtetin tonë, sovranitetin dhe integrimin euroatlantik si dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Gjatë këtyre takimeve kam pasur diskutime të rëndësishme dhe shumë konkrete për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe SHBA-së. Sa i përket zhvillimit ekonomik, kemi folur për fusha specifike që janë me interes edhe për Administratën Trump. Po ashtu, në mesin e këtyre temave dua të veçoj diskutimin në fushën e mbrojtjes, mobilizimin tonë përmes rritjes së buxhetit të mbrojtjes, por edhe përkushtimin për të kontribuar në sigurinë globale dhe anëtarësimin në NATO. Tani i takon Kosovës që të vazhdojë me propozime edhe më konkrete. Shpresoj që sa më parë të kemi institucionet e formuara”, deklaroi Osmani.