Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot Profesor Latif Berishën dhe Agim Hajrizin, bashkë me nënën e tij dhe Ilirin e vogël, të vrarë nga regjimi gjenocidal i Serbisë më 24 mars 1999.
Ajo ka folur për forcën dhe krenarinë e familjeve të tyre dhe për rolin e këtyre individëve në historinë e vendit.
“Sot, në përvjetorin e 24 marsit 1999, kujtojmë me nderim Profesor Latif Berishën si dhe Agim Hajrizin, bashkë me nënën e tij dhe Ilirin e vogël, të vrarë nga regjimi gjenocidal i Serbisë në një nga ditët më vendimtare për Kosovën,” ka theksuar mes tjerash ajo.
Postimi i plotë:
Për ne që u rritëm në Mitrovicë, data e 24 marsit nuk është vetëm një datë përkujtimi. Është edhe kujtesa e forcës së jashtëzakonshme të familjes Hajrizi e familjes Berisha, por edhe e krenarisë që ky qytet i ka dhënë Kosovës burra e gra që nuk u përkulën kurrë.
Sot, në përvjetorin e 24 marsit 1999, kujtojmë me nderim Profesor Latif Berishën si dhe Agim Hajrizin, bashkë me nënën e tij dhe Ilirin e vogël, të vrarë nga regjimi gjenocidal i Serbisë në një nga ditët më vendimtare për Kosovën.
Në akademinë përkujtimore dhe në vizitat tek familjet e tyre, sot u përulëm me respekt para sakrificës së tyre, duke ripërtërirë zotimin se kujtimi për ta do të jetojë përherë në historinë dhe në ndërgjegjen e shtetit tonë.
Zoti e bekoftë familjen Hajrizi, familjen Berisha dhe Republikën e Kosovës. 🇽🇰



