spot_img
E mërkurë, 25 Mars, 2026
13:09
HomeKosovaOsmani: Propaganda dhe shpifja rrezikojnë demokracinë dhe gratë në politikë

Osmani: Propaganda dhe shpifja rrezikojnë demokracinë dhe gratë në politikë

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë konferencës hapëse të Javës së Gruas 2026, tha se një fushatë baltosëse ndaj saj gjatë javëve të fundit, të cilën e ka cilësuar jo si kritikë apo llogaridhënie, por si një përpjekje të qëllimshme për cenimin e dinjitetit njerëzor dhe dobësimin e demokracisë.

Ajo shtoi se kjo qasje përbën një rrezik për demokracinë dhe dërgon një mesazh të qartë për gratë që synojnë të angazhohen në jetën publike, duke e cilësuar si përpjekje për frikësim dhe eliminim përmes propagandës dhe dezinformimit:

- Advertisement -

“Në javët e fundit, puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që për qëllim nuk e ka kritikën. Dhe nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është diçka tjetër. Shumë më e ftohtë, e krejtësisht e qëllimshme. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij njerëzor. Për ta kthyer në objekt. Për ta krahasuar me kafshët më të egra. Për ta zëvendësuar të vërtetën me imazhe të manipuluara. Gënjeshtra që përsëriten aq shumë derisa dikujt mund t’i duken të vërteta. Imazhe që krijohen për të lënduar dhe për të shkatërruar vlerat më të larta njerëzore që e kanë mbajtur popullin tonë bashkë në kohët më të rënda. Fjalë që nuk synojnë debat, por shkatërrim dhe eliminim.”

Presidentja theksoi se reagimi duhet të jetë i fuqishëm dhe i drejtë, duke mbrojtur demokracinë dhe jo duke u pozicionuar si viktimë:

- Advertisement -

“Dhe për këtë arsye duhet të flasim. Jo si viktima. Asnjëherë. Asnjëherë si viktima. Asnjëherë. Por si mbrojtëse të demokracisë. Vetëm si mbrojtëse të demokracisë. Sepse kur propaganda mund ta kthejë këdo në tradhtar brenda natës, kur e vërteta më s’ka aspak rëndësi, kur dinjiteti gjithnjë shndërrohet në dëm kolateral, atëherë e tërë demokracia është në rrezik.”

Ajo po ashtu nënvizoi domosdoshmërinë e lidershipit të ndjeshëm ndaj gjinisë dhe rëndësinë e institucioneve që mbajnë përgjegjës ata që përdorin teknologjinë për propagandë dhe dezinformim:

“Prandaj lidershipi i ndjeshëm ndaj gjinisë nuk është luks. Është domosdoshmëri. Dhe kërkon institucione që nuk heshtin. Kërkon që të mbajmë përgjegjës ata që përdorin teknologjinë dhe e shndërrojnë në propagandë, që shfrytëzojnë dezinformimin dhe që besojnë që narrativa e tyre mund të ruhet vetëm e vetëm nëpërmjet frikësimit. E një shoqëri që mësohet me një narrativë të tillë, e humb në tërësi, në tërësi e humb busullën morale. Mirëpo kjo nuk është luftë vetëm ndaj një personi. Është një mesazh i drejtpërdrejtë për secilën grua. Për secilën vajzë që mendon të hyjë në jetën publike. Është mesazhi që thotë se për gratë në politikë, ky është çmimi që do ta paguash. Apo edhe ndoshta më i lartë.”

Osmani përfundoi duke theksuar se kjo çështje ka kaluar kufijtë e personalitetit të saj dhe është bërë një çështje e vetë demokracisë:

“Dhe pikërisht për këtë arsye kjo nuk është më çështje personale. Është çështje e demokracisë. Sepse demokracia nuk rrëzohet vetëm nga krizat e mëdha. Ajo dobësohet ngadalë, kur e vërteta relativizohet, kur e vërteta goditet dhe bëhet tërësisht e parëndësishme. Kur shpifja bëhet mjeti kryesor, kur dinjiteti njerëzor trajtohet si pengesë e jo si vlerë.” /RTK

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat