Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke u shprehur me mesazhe solidariteti, harmonije dhe mirëkuptimi.
“Me fat Bajrami, qytetarë të dashur! Uroj që kjo festë të na afrojë e të na bashkojë, të rrisë solidaritetin, harmoninë dhe mbështetjen ndaj njëri-tjetrit. Uroj po ashtu që Zoti t’jua ketë pranuar lutjet dhe agjërimin gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit”, shkruan Osmani.
Presidentja thekson rëndësinë e këtij momenti festiv si një mundësi për të shprehur bujarinë dhe për të mbajtur gjallë vlerat që i bashkojnë njerëzit: solidaritetin, mirëkuptimin dhe kujdesin ndaj njëri-tjetrit.
“Festa e Bajramit shënon një moment të veçantë, kur njerëzit afrohen më shumë me njëri-tjetrin dhe shprehin bujarinë e tyre. Në këtë ditë, hapen dyert dhe zemrat, duke mbjellë mirësi, sepse ajo nuk humbet kurrë, për sa kohë që ne zgjedhim ta mbajmë gjallë solidaritetin dhe shpresën”, tha Osmani.
Në përfundim, presidentja fton qytetarët që të qëndrojnë pranë atyre që kanë më shumë nevojë dhe të jenë burim shprese dhe mbështetjeje për komunitetin.
“Gëzuar dhe me fat Fitër Bajrami!”, përfundon urimi i saj.



