Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Turqi është takuar me Ministrin e Jashtëm të Kenias, njëherësh Kryesekretarin e Kabinetit Presidencial, Musalia Mudavadi.
Takimi ndodh pak kohë pasi Kenia njohu Kosovën.
“Pas vendimit historik për njohjen e Kosovës nga Kenia, në Turqi u takova me Ministrin e Jashtëm të Kenias, njëherësh Kryesekretarin e Kabinetit Presidencial, z. Musalia Mudavadi, të cilin e falënderova edhe një herë për këtë hap të rëndësishëm, i cili kontribuon për paqen e stabilitetin afatgjatë në rajonin tonë. Diskutuam për fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët, të cilat do t’i konkretizojmë gjatë vizitës zyrtare në Kenia dhe përgjatë rrugës sonë të përbashkët si aleatë dhe partnerë”, ka shkruar Osmani në njoftim.