Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet A.I., i cili dyshohet për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 6 nëntor në fshatin Golluboc të Komunës së Malishevës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se A.I., rreth orës 11:25, ka privuar nga jeta D.M. dhe N.M., të dy nga i njëjti fshat. I dyshuari, që është dhëndër i familjes së viktimave, kishte shkuar në shtëpinë e tyre për të marrë bashkëshorten e tij, I.M., dhe fëmijët e tyre, të cilët ndodheshin aty për ceremoninë e varrimit të babait të saj.
Gjatë largimit nga shtëpia, ka shpërthyer një debat mes A.I.-së dhe vëllezërve të gruas së tij, ku më pas i dyshuari ka nxjerrë një pistoletë të llojit TT dhe ka shtënë disa herë në drejtim të D.M. dhe N.M., duke i lënë të dy të vdekur në vend.
Njoftimi i plotë:
KËRKESË PËR PARABURGIM NDAJ TË PANDEHURIT PËR VRASJEN E DYFISHT NË FSHATIN GOLLUBOC, KOMUNA E MALISHEVËS
Gjakovë, 7 nëntor 2025 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet A.I., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet A.I., më datë 06.11.2025 rreth orës 11:25 min, në fshatin Golluboc – Komuna e Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerët D.M., dhe N.M., që të dy nga fshati Golluboc – Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që i pandehuri si dhëndër i familjes së tani të ndjerëve D.M., dhe N.M., shkon në vendin e cekur më lartë, tek shtëpia e të ndjerëve për t’a marr bashkëshorten I.M., dhe fëmijët, e cila ndodhej tek familja e saj me rastin e varrimit të babait, e ku për këtë ceremoni varrimi kishin ardhur edhe tani të ndjerët D.M., dhe N.M., e si shkak i problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tani të ndjerëve, gjatë largimit nga shtëpia e këtyre të fundit, në rrugë fillon një fjalosje në mes tyre e në momentin kur dëshmitarja I.M., përshëndetet me nënën e saj e del jashtë dyerve të oborrit në rrugë vëren të pandehurin – bashkëshortin e saj duke shtënë disa herë me armë të llojit Pistoletë TT në drejtim të vëllait të saj tani të ndjerit D.M., e më pas shtënë po ashtu disa herë në drejtim të vëllait tjetër të saj tani të ndjerë N.M., të ndjerët D.M., dhe N.M., nga plagët e marra në pjesë vitale të trupit mbesin të shtrire përtokë, i pandehuri hedh pistoletën dhe largohet në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat dërgohen në QKMF Kijevë pa shenja jete, të nesërmen i pandehuri arrestohet.
Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale, Vrasja e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.11 të KPRK-së, dhe Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së
I pandehuri që nga data 7 nëntor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartcekura.



