Kievi është i mbuluar me tym pas një nate sulmesh intensive ruse që goditën pothuajse çdo lagje të kryeqytetit ukrainas, duke plagosur 23 persona.
Ukraina tha se Rusia qëlloi një rekord prej 550 dronësh dhe 11 raketash.
Sulmet erdhën disa orë pas një telefonate midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, pas së cilës Trump tha se ishte “i zhgënjyer” që Putini nuk ishte gati t’i jepte fund luftës kundër Ukrainës.
Moska thotë se lufta do të vazhdojë për aq kohë sa është e nevojshme për të arritur objektivat e saj.
Alarmet për sulme ajrore tingëlluan për më shumë se tetë orë, ndërsa disa valë sulmesh goditën Kievin, “objektivin kryesor të sulmeve”, thanë forcat ajrore në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi një nga sulmet që i quajti “demonstrativisht domethënëse dhe cinike” të luftës, duke e përshkruar një “natë të ashpër dhe pa gjumë”.
Duke vënë në dukje se kjo ndodhi menjëherë pas telefonatës së Putinit me Trumpin, Zelensky shtoi në një postim në Telegram: “Rusia edhe një herë tregon se nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës”.
Ai u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë – veçanërisht SHBA-së – të rrisin presionin mbi Moskën dhe të vendosin sanksione më të mëdha.
Sipas autoriteteve ukrainase, infrastruktura hekurudhore u dëmtua dhe shkolla, ndërtesa dhe makina u vunë në flakë në të gjithë kryeqytetin.
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosłaë Sikorski, tha se edhe konsullata polake ishte dëmtuar.
Sulmet ruse goditën gjithashtu rajonet e Sumy, Kharkiv, Dnipropetrovsk dhe Chernihiv.
Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se “sulmi masiv” ishte nisur në përgjigje të “akteve terroriste të regjimit të Kievit”.
Guvernatori në detyrë i rajonit jugor të Rostovit në Rusi tha se një grua u vra në një sulm me dron ukrainas në një fshat jo shumë larg kufirit të premten në mbrëmje.
Sulmet e së premtes ishin të fundit në një seri sulmesh të mëdha ajrore ruse në Ukrainë, të cilat janë intensifikuar në javët e fundit, ndërsa bisedimet për armëpushim kanë ngecur kryesisht.