Ushtria izraelite tha të mërkurën se armëpushimi ishte rikthyer në Gaza, pasi kreu sulme të rënda ajrore në të gjithë territorin palestinez që vranë të paktën 81 persona, përfshirë gra dhe fëmijë.
Sulmet më vdekjeprurëset që nga armëpushimi i miratuar më 10 tetor – shënuan sfidën më serioze ndaj armëpushimit të brishtë deri më sot.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se kishte urdhëruar ushtrinë të kryente “sulme të fuqishme” mbi Gazën, pasi akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit.
Hamasi tha në përgjigje se do të vononte dorëzimin e trupit të një pengu tjetër.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ndodhet aktualisht në një udhëtim në Azi, i mbrojti sulmet ajrore, duke thënë se Izraeli ishte i justifikuar në kryerjen e tyre pas asaj që ai e quajti një incident në të cilin Hamasi vrau një ushtar izraelit gjatë një shkëmbimi zjarri në Rafah, qytetin më jugor në Gaza.
Hamasi mohoi çdo përfshirje në atë të shtënë vdekjeprurëse dhe nga ana tjetër akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Mohammed Abu Selmia, drejtor i Spitalit Shifa në Gaza City, tha se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet më tej pasi shumë nga 45 personat që po trajtoheshin në spital – përfshirë 20 fëmijë – ishin në gjendje kritike.
Ai tha se spitali mori 21 trupa, përfshirë shtatë gra dhe gjashtë fëmijë. Kjo është përveç të paktën 60 personave që u raportuan të vrarë më parë.
Spitali Aqsa në qytetin qendror të Gazës, Deir al-Balah, raportoi të paktën 10 trupa, midis tyre tri gra dhe gjashtë fëmijë.
Trupat e tyre mbërritën në spital gjatë natës pas dy sulmeve ajrore izraelite atje.
Në Gazën jugore, Spitali Nasser në Khan Younis tha se kishte marrë 20 trupa pas pesë sulmeve ajrore izraelite në zonë, nga të cilët 13 ishin fëmijë dhe dy ishin gra.
Diku tjetër në Gazën qendrore, Spitali Al-Awda tha se kishte marrë 30 trupa, përfshirë 14 fëmijë.
Sipas zyrtarëve nga katër spitalet e Gazës që folën me Associated Press, numri i fëmijëve të vrarë në sulmet ajrore gjatë natës ka arritur në 39.



