Pasojat e Bajnskës: Një vit pas tragjedisë së Rreshterit, Afrim Bunjaku

0
152
Afrim Bunjaku
Afrim Bunjaku

Storm/Opinione: Një vit pas ngjarjes së rëndë në Bajnskë, në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe disa nga sulmuesit serbë, situata vazhdon të ketë pasoja të thella në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ngjarja është klasifikuar si akt terrorist nga autoritetet e Kosovës, dhe Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuza ndaj 45 personave të përfshirë drejtpërdrejt në organizimin dhe ekzekutimin e këtij sulmi të armatosur.

Foto: Millan Radoicic dhe grupi i tij i sulmuesve ne diten kritike, 24 shtator 2023

Përmes hetimeve intensive, është zbuluar se ky grup kishte planifikuar të destabilizonte situatën e sigurisë në veri të Kosovës me qëllim dobësimin e autoritetit të institucioneve shtetërore, përfshirë Policinë e Kosovës dhe prezencën ndërkombëtare si KFOR-i. Faktet e mbledhura tregojnë për një nivel të lartë organizimi dhe furnizimi me armë të rënda, përfshirë mjete të blinduara dhe pajisje ushtarake të avancuara, të cilat mund të blihen dhe të posedohen vetëm me leje të shtetit.

Ngjarja e Bajnskës përfaqëson një prej momenteve më kritike për stabilitetin e Kosovës në vitin 2023, dhe një nga pengesat më të mëdha për avancimin e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA. Pas këtij sulmi, bisedimet e normalizimit kanë hyrë në një fazë tepër të vështirë, me rritje të tensioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe presioneve diplomatike nga Bashkësia Ndërkombëtare.

BE dhe SHBA kanë kërkuar me ngulm që të intensifikohen përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, duke filluar me materializimin e “Asociacionit” nga pala e Kosovës dhe duke i nxjerrë para drejtësisë autorët e Bajnskës nga pala e Serbisë, për t’u kthyer në tavolinën e dialogut dhe për të realizuar marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Megjithatë, ngjarje të tilla si ajo e Bajnskës dhe deklaratat e kërcënimeve ndërmjet palëve, kanë ngritur dyshime mbi sinqeritetin e tyre dhe mundësitë e suksesit në dialog.

Foto: Agresoret serb dhe pasojat e sulmit te tyre

 

 

 

 

 

 

 

Në një kontekst më të gjerë, zhvillimet e këtij viti në dialogun Kosovë-Serbi mund të ndikohen edhe nga zgjedhjet e ardhshme, si në Kosovë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zgjedhjet e ardhshme në SHBA mund të sjellin ndryshime të mundshme në politikën e jashtme, e cila deri tani ka mbështetur Kosovën, por herë pas here e ka kritikuar qeverinë e saj. Fushata për zgjedhjet presidenciale amerikane do të ndikojë në prioritetet diplomatike dhe në mënyrën sesi dialogu Kosovë-Serbi do të trajtohet në vitin e ardhshëm.

Po ashtu, me zgjedhjet qendrore të pritshme në Kosovë, fati i këtij dialogu do të varet shumë nga qëndrimet e forcave politike të Kosovës. Një ndër çështjet kyçe do të jetë se si do të trajtohen tensionet që lidhen me veriun, por edhe me dialogun përgjithësisht, dhe se a do të ketë ndonjë lëvizje reale drejt stabilizimit, apo nëse sulme të tilla të armatosura si ai i Bajnskës do të vazhdojnë të kërcënojnë paqen dhe sigurinë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Foto: Armatimi i konfiskuar dhe eskpozuar

Në të njëjtën kohë, shqetësimi mbetet për mungesën e përparimit konkret drejt një marrëveshjeje finale dhe të përhershme, me njohje de-facto apo de-jure. Por ajo që është e dukshme dhe e prekshme, është se situata aktuale e ngërçit politik dhe e sigurisë ka implikime të mëdha për integrimin euro-atlantik të Kosovës. Pa përparime të qarta në dialog dhe përmirësim të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova mund të hasë vështirësi në rrugën drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare si në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Kështu, një vit pas ngjarjes së Bajnskës, është e qartë se kjo ngjarje jo vetëm që ka ndryshuar dinamikën e brendshme të Kosovës, por edhe e ka komplikuar rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme në Ballkan.”/ storm-rks