Në zgjedhjet e fundit lokale në Gjakovë, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Gani Hajdari, ka dalë si më i votuari nga të gjithë kandidatët e partive politike në qytet, duke shënuar një rezultat të jashtëzakonshëm me rreth 900 vota personale, sipas rezultateve të deritanishme.
Ky sukses vjen pavarësisht se PDK është renditur si forca e tretë politike në nivel të përgjithshëm në Gjakovë, ndërsa votat masive për Hajdarin tregojnë për një mbështetje të gjerë qytetare në të gjithë territorin e komunës.
Gani Hajdari ka drejtuar me sukses Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Gjakovës, ku, sipas burimeve lokale, është dalluar për përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe qeverisje me duar të pastra. Pikërisht kjo mënyrë e punës, thuhet se ka ndikuar që qytetarët t’i japin një besim të veçantë dhe votë shpërblyese në këto zgjedhje.
Analistët lokalë e cilësojnë këtë rezultat si një sinjal të fortë për ndryshim në raportin mes individit dhe partisë politike, duke treguar se kredibiliteti personal dhe puna konkrete në terren po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi në zgjedhjet lokale.
Rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në ditët në vijim, por tashmë është e qartë se Gani Hajdari ka dalë fitues moral dhe politik i garës në Gjakovë.