Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ashpër pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një konferencë, PDK e cilësoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese si një konfirmim të dështimit institucional të shkaktuar nga partitë politike në pushtet, duke theksuar se ky vendim nxjerr në pah paaftësinë dhe papërgjegjësinë e deputetëve të shumicës parlamentare.
“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është një pasqyrë e qartë e krizës së thellë politike që ka kapluar vendin, e cila është rezultat i papërgjegjësisë së atyre që kishin detyrimin dhe mandatin për të formuar institucionet,” tha në deklaratë PDK.
PDK gjithashtu bëri thirrje për përgjegjësi politike, duke kërkuar që partitë që kanë bllokuar procesin institucional të pranojnë dështimin dhe të hapin rrugën për zgjidhje, qoftë përmes krijimit të një koalicioni funksional, ose duke i kthyer vendit mundësinë për zgjedhje të reja.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi Kuvendi i Kosovës dështoi për herë të 38-të të zgjedhë organet drejtuese, duke e futur vendin në një krizë të paparë politike dhe institucionale.