PDK është duke kaluar për një fazë që nuk e ka përjetuar kurrë më parë: krizën e identitetit. Partia që dikur u udhëhoq nga emra si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që për shumë kënd ishin sinonim i fuqisë dhe unitetit të saj, sot udhëhiqet nga një logjikë tjetër, një logjikë që e lartëson individin mbi partinë, ndërkohë që e zbeh vetë partinë.
Deklarata e fundit e kryetarit aktual, Memli Krasniqi, se “Uran Ismaili është më i madh se PDK-ja” është më shumë se një kompliment personal. Është një rrëfim i pavetëdijshëm se PDK sot nuk është më qendra e gravitetit politik si dikur, por është bërë një trampolinë për ambiciet e disa individëve.
Kjo kontraston fuqishëm me periudhat kur Ramiz Lladrovci shihej si simbol i lojalitetit, sakrificës dhe përkushtimit. Thaçi dhe Veseli, liderët historikë të partisë, nuk fshiheshin kurrë pas këtij fakti, përkundrazi, Lladrovci ishte për ta shembull i qëndrueshmërisë. Sot, i njëjti Lladrovci përjashtohet nga partia nga të njëjtit që pretendojnë se po e çojnë PDK-në përpara. Dhe kjo ndodh pavarësisht se Drenasi, nën qeverisjen e tij, ka marrë jo pak vlerësime dhe mirënjohje ndërkombëtare për menaxhim dhe transparencë, gjë që pak komuna në Kosovë mund të krenohen.
Ky kontrast është thelbësor: dikur vlerësohej kontributi dhe rezultati, sot lavdërohet vetëm individi i afërt me taborin e ri drejtues. E kjo bën që PDK të mos shihet më si parti e “të mëdhenjve të vërtetë”, por si një arenë ku ngriten “vogëlsira të mëdha”, njerëz që e rrisin veten përmes fjalëve të mëdha, por që në fakt e tkurrin partinë në sytë e qytetarëve.
Dhe ironia nuk mbaron këtu: ky brez i ri që sot e sheh veten mbi PDK-në, është i njëjti brez që dikur e lavdëronte Albin Kurtin, kundërshtarin më të madh politik të Thaçit dhe Veselit. Pra, nga glorifikimi i kundërshtarit deri te përjashtimi i bashkëluftëtarit, ky transformim i PDK-së është shembull i qartë se partia po udhëhiqet nga një grup që nuk di as ta ruajë trashëgiminë, as ta ndërtojë të ardhmen.
Nëse kjo vazhdon, nuk është çudi që PDK të mbetet një parti që nuk kujtohet më për “të mëdhenjtë e saj historikë”, por për një grup që s’mund t’i themi ndryshe veçse: vogëlsirat e mëdha të PDK-së.
P.S. Ky editorial është pronë e Institutit për Lidership Civil. I njëjti vlen për publikim në storm•, por nuk mund të shpërndahet apo ripublikohet nga të tjerët pa lejen paraprake të institutit.