Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është drejtuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me një kërkesë zyrtare për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se në kërkesë theksohet se çështja e përbërjes së KQZ-së ka mbetur e papërfunduar gjatë mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani. Sipas PDK-së, përfaqësimi i tyre me dy anëtarë në këtë institucion nuk është çështje interpretimi politik, por një e drejtë që buron drejtpërdrejt nga dispozitat kushtetuese.
Në letrën e PDK-së, gjithashtu, theksohet rëndësia e respektimit të praktikës së deritanishme institucionale, sipas së cilës kjo parti ka qenë vazhdimisht e përfaqësuar me dy anëtarë. Subjekti opozitar kërkon ruajtjen e parimeve të barazisë dhe balancës mes subjekteve politike në këtë organ rregullator të zgjedhjeve.
Argumentimi Kushtetues Duke iu referuar nenit 139, paragrafi 4 të Kushtetutës së Kosovës, PDK argumenton se shpërndarja e vendeve në KQZ duhet të bazohet në përfaqësimin e grupeve parlamentare në Kuvend.
Në kushtet aktuale, ku funksionojnë katër grupe parlamentare, PDK-ja konsideron se secili grup duhet të ketë nga një përfaqësues në raundin e parë, ndërsa vendet e mbetura duhet të ndahen sipas madhësisë së grupeve. Kjo formë, sipas tyre, siguron përfaqësim proporcional dhe legjitimitet kushtetues brenda KQZ-së.
Kjo kërkesë tashmë është dorëzuar zyrtarisht në zyrën e u.d. presidentes Haxhiu dhe pritet një përgjigje institucionale lidhur me hapat që do të ndërmerren për kompletimin e këtij institucioni.



