Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) do të marrin pjesë nesër në vazhdimin e seancës konstituive në Kuvendin e Kosovës, së bashku me përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“E kemi obligim mbi bazën e rregullores së punës që të jemi aty nesër”, tha nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Kur u pyet nëse ende e kanë kusht dhënien formale të dorëheqjeve të anëtarëve të qeverisë, Çitaku tha se “asgjë nuk ka ndryshuar”.
Sot presidentja Vjosa Osmani i është përgjigjur letrës së kryesuesit të kuvendit, Avni Dehari, duke i thënë që seanca konstituive duhet të vazhdohet brenda 48 orëve që nga ndërprerja e saj.
Ndërkaq sot gjatë ditës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka lëshuar një komunikatë për media ku thuhet se deputetët e LDK-së nesër do të jenë në sallën e Kuvendit në ora 10:00, duke iu referuar afatit 48 orësh pas përfundimit të seancës që u ndëpre dje.
LDK ka ftuar të gjithë deputetët e të gjitha partive që të jenë prezent në seancë, derisa i ka bërë thirrje edhe kabinetit qeveritar të dorëhiqen dhe dorëheqjet t’i deponojnë në organet e kuvendit.
Po ashtu, pesë deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të marrin pjesë nesër në vazhdimin e seancës konstituive.
“Po”, tha zëdhënësi i AAK-së Kushtrim Xhemajli.
Akoma pa u thirrë vazhdimi i seancës konstituive nga PDK e LDK kanë thënë se nesër do të shkojnë në kuvend.
Ndërsa, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka thënë se në momentin që do të kenë ftesë nga kryesuesi Avni Dehari për vazhdim të seancës konstituive do t’i përgjigjen asaj “ashtu siç e do rregulli dhe rendi”.
“Sapo të kemi ftesën nga kryesuesi i seancës ne sigurisht se do t’i përgjigjemi ashtu siç e do rregulli dhe rendi”, tha Manxhuka.
Tashmë Kuvendi ka njoftuar se vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër në orën 12:00.