Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë me deklaratë për pretendimet se PDK-së i është ofruar posti i Presidentit.
Në reagim thuhet se pretendimet janë të pavërteta dhe spekulative.
“Lidhur me raportimet e fundit, sqarojmë se pretendimet se PDK-së i është ofruar posti i Presidentit janë të pavërteta dhe spekulative. Sot, Partia Demokratike e Kosovës mbajti mbledhjen e Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar, ku u vendos që në ditët në vijim të thirret Këshilli Drejtues për të diskutuar zhvillimet aktuale politike dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm”, thuhet në njoftim.
“I bëjmë thirrje mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të verifikuara. PDK mbetet e hapur për bashkëpunim dhe e gatshme të ofrojë informata të sakta dhe në kohë për çdo çështje me interes publik. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, përmbyllet njoftimi.



