Koreja e Veriut ka dërguar rreth 10,000 trupa në Rusi për t’u trajnuar dhe luftuar në Ukrainë brenda “disa javëve të ardhshme”, tha Pentagoni të hënën.
Kjo lëvizje sipas liderëve perëndimorë, do të intensifikojë luftën dhe tronditjen pothuajse trevjeçare nw marrëdhëniet në rajonin Indo-Paqësor.
Disa nga ushtarët e Koresë së Veriut tashmë janë afruar më pranë Ukrainës, tha zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh dhe besohet se po shkonin për në rajonin kufitar të Kurskut, ku Rusia ka luftuar për të zmbrapsur një inkursion ukrainas .
Më herët të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte konfirmoi raportet e fundit të inteligjencës ukrainase se disa njësi ushtarake të Koresë së Veriut ndodheshin tashmë në rajonin e Kurskut.
Shtimi i mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut në konfliktin më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore do të grumbullojë më shumë presion mbi ushtrinë e lodhur dhe të stërngarkuar të Ukrainës.
Ky veprim gjithashtu do të nxisë tensionet gjeopolitike në Gadishullin Korean dhe në rajonin më të gjerë Indo-Paqësor, duke përfshirë Japoninë dhe Australinë, thonë zyrtarët perëndimorë.